Aktualitet

VD-Thirrja e Komitetit, Rakacolli: Bëjmë apel për kryerjen e vaksinimit, mbani maskat në vendet e mbyllura

 Mira Rakacolli u shpreh se i vetmi rekomandim i Komitetit është ai për shtimin e vaksinimeve në radhët e qytetarëve.

6 Korrik 2022, 11:18 Nga A.B
VD-Thirrja e Komitetit, Rakacolli: Bëjmë apel për kryerjen e
Rakacolli

TIRANË- Komiteti Teknik i Ekspertëve ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të bëjnë dozën e tretë e të katërt të vaksinës. Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli u shpreh se i vetmi rekomandim i Komitetit është ai për shtimin e vaksinimeve në radhët e qytetarëve. Po ashtu u rekomandua mbajtja e maskave në ambientet e mbyllura.

'Tashmë është e provuar se vaksinimi është parandalimi i infeksionit, komiteti bën apel për bërjen e dozave të vaksinimit për të vijuar për dozën e tretë e të katërt, se të gjithë qytetarët i kanë mundësinë që t'i bëjnë. Është problem publik. Bëjmë thirrje për të mbajtur maskën në ambientet e mbyllura. '- u shpreh Rakacolli. 

Mjekja Silva Bino u shpreh se në vendet e Bashkimit Europian, është ulur vdekshmëria për shkak të vaksinimit.

'Nuk ka asnjë lloj diskutimi në lidhje me këtë gjë, kush ka kryer dozat e para duhet të bëjë dhe dozën e tretë. Përfitimi nga vaksinimi është në rritje, në vendet e BE, vdekshmëria është në ulje falë vaksinimit të lartë.'- tha Bino. 

Ndërsa mjekja, Najada Çomo deklaroi se në muajin korrik ka pasur shtim të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. 

'Në qershor kishim një masë të ulët, në korrik kemi shtim të pacientëve që vijnë për të kërkuar ndihmë. 5-6 pacientë në ditë shtrohen në spital, ata janë të pavaksinuar, ose e kanë lënë në mes. Bërja e dozës së tretë është e domosdoshme. Temperaturat e larta nuk e kanë ulur numrin e të shtruarve dhe të sëmurëve, është shtuar por jo në shifra të jashtëzakonshme. E rëndësishme është se grupmoshat më të prekura janë 60 - 70 vjeçare. Kemi pasur një grua në gjendje të rëndë, e cila është jashtë rrezikut për jetën. '- tha Çomo. 

komiteti teknik i eksperteve 6 korrik 2022

Sondazh

Poll