Sport

Para për Milanin! Manjati indian gati të investojë te kuqezinjtë bashkë me ‘RedBird’

Pronari i Sacramento Kings, Vivek Yeshwant Ranadivé, së bashku me të birin, dëshirojnë të investojnë në futboll: ai gjithashtu është përpjekur të blejë Chelsean

2 Korrik 2022, 07:07 Nga DOSJA
Para për Milanin! Manjati indian gati të investojë te
Vivek Yeshwant Ranadivé, pronar i Sacramento Kings në NBA

ITALI - Vivek Yeshwant Ranadivé është një emër i ri për Milanin. Ky nuk është një mbrojtës apo një mesfushor sulmues, por manjati indian që është gati të investojë në klubin kuqezi bashkë me ‘RedBird’. Bisedimet me Gerry Cardinale, i cili ka qenë i zënë në SHBA për të kërkuar investitorë javët e fundit, tashmë kanë filluar dhe 65-vjeçari shpreson të arrijë një marrëveshje së shpejti. 

Ranadivé njihet tashmë në botën e sportit si pronar i Sacramento Kings, një ekskluzivitet i NBA-së, dhe ai gjithashtu dëshiron të hyjë në futboll siç dëshmohet nga oferta e fundit për të blerë Chelsean. Shifrat janë ende tepër sekrete, por dihet se ‘RedBird’ po kërkon, me një mbledhje fondesh, një pjesë të 1.2 miliardë eurove që do t'i paguhet Elliott në kohën e mbylljes së marrëveshjes deri në shtator 2022.

Kështu që Ranadivé do të ishte gati të shkonte në ndihmë të Cardinales dhe me modelin e ringjallës së Sacramento Kings: një ekskluzivitet i blerë në 2013 për 534 milionë dollarë dhe i çuar në një vlerësim aktual prej 2.06 miliardë dollarësh sipas ‘Sportico’. 

Manjati amerikano-indian i njohur nga të gjithë për kreativitetin dhe idetë e tij novatore, u largua nga India si djalë me vetëm pesëdhjetë dollarë në xhep, studioi në Kembrixh, Massachusetts dhe bëri pasurinë e tij në botën e teknologjisë, fillimisht me ‘Teknekron’  dhe më pas me themelimin e ‘TIBCO’ në vitin 1997, një kompani e specializuar në prodhimin e softuerëve për fushat e integrimit. 

Vitet e fundit ai e ka zhvendosur biznesin e tij në botën e sportit dhe tani, pasi u përpoq pa sukses me Chelsean, ai i ka vënë sytë Milanit. Së bashku me djalin e tij Aneel, ai foli me Cardinalen për të studiuar hyrjen e tij në operacion. Para të freskëta, një ndihmë e rëndësishme për ‘RedBird’ për të përfunduar marrëveshjen me Elliott. Nga NBA në Serie A, Ranadive është gati për sfidën e tij të re.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll