Sport

Asgjësohet një rrjet kriminal bastesh në Spanjë, në pranga edhe 21 futbollistë që trukonin ndeshje

Një operacion i Interpolit dhe Europolit, bëri të mundur shkatërrimin e grupit. Dyshohet se ata kanë mashtruar dhe përfituar më shumë se 500 mijë euro

29 Qershor 2022, 18:53 Nga DOSJA
Asgjësohet një rrjet kriminal bastesh në Spanjë, në

SPANJE - Operacioni kundër një organizate, që dyshohet se ishte angazhuar në trukimin e ndeshjeve të Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Ligës Kombëtare të Gjibraltarit për të përfituar nga bastet sportive, ka përfunduar me 21 të arrestuar.

Siç njoftoi të mërkurën policia kombëtare spanjole, të arrestuarit, të cilëve u janë shtuar edhe gjashtë të tjerë të hetuar, mes të cilëve ka edhe futbollistë të RFEF-së së dytë dhe të tretë, mund të kishin përvetësuar më shumë se 500 mijë euro.

Pas këtij operacioni të përbashkët me Interpolin dhe Europolin, policia spanjole e konsideron këtë organizatë të çmontuar, me degë në Cádiz, Badajoz, Seville dhe Almeria, anëtarët e së cilës akuzohen për anëtarësim në një organizatë kriminale, korrupsion mes individëve në fushën e sportit dhe mashtrim kundër operatorëve të kësaj loje.

Organizata përbëhej nga dy “liderë”, dy burra të lidhur me botën e futbollit profesionist. Grupi u zbulua në maj 2021 për shkak të sjelljes së parregullt në tregun e basteve në një ndeshje futbolli të kategorisë së tretë, por ekzistenca e tij i paraprin asaj date. Drejtuesit e rrjetit krijuan  grupe komunikimi të koduara me vetë futbollistët për të menaxhuar rregullimet sportive dhe për të marrë fitime të mëdha nga bastet e tyre.

Rrjeti kishte bashkëpunëtorë që kontribuan me identitetin e tyre për të operuar në lojën e internetit, në këmbim të njëqind eurove dhe me njerëz që shkonin në dhoma të ndryshme për të vënë bastet e paracaktuara dhe për të mbledhur çmimet e marra. Në operacion janë kryer tre kontrolle në shtëpi, ku janë sekuestruar 60 mijë euro cash, si dhe dy automjete.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll