Politike

Shqipëria, e shtata për trafikun e kanabisit, Meta: Kriminelët kanë mbrojtje politike, drejtësia të reagojë

Meta thotë se krimi i organizuar vijon të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare

28 Qershor 2022, 10:49 Nga k.m.
Shqipëria, e shtata për trafikun e kanabisit, Meta: Kriminelët
Ilir Meta

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas raportit të bërë publike nga zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet, ku Shqipëria renditet e shtata në botë për kanabisin. Përmes një reagimi në rrjetin e tij social 'Facebook', Meta thotë se krimi i organizuar vijon të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Kreu i shtetit thotë se përdorimi i bandave në fushatat elektorale dhe dhënia për ta si “koncension” i vijimit të trafiqeve, po dëmton seriozisht imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish. Ai kërkon që shteti të reagojë dhe të vendosë drejtësi. 

REAGIMI I METËS:

Krimi i organizuar vijon të mbetet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria dhe agjencitë ligjzbatuese ende nuk janë përqëndruar seriozisht në luftën kundër kanabizimit dhe trafikut të drogës, kusht për integrimin europian. Raporti i vitit 2022 i UNODC, zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet e rendit vendin tonë, kryesor në botë për kultivimin e kanabisit, duke e klasifikuar të shtatin nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin për periudhën 2016-2019, pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heorinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore. Një tjetër raport, i publikuar nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane. Mbrojtja politike e grupeve kriminale dhe shmangia e tyre nga drejtësia, përdorimi i bandave në fushatat elektorale dhe dhënia për ta si “koncension” i vijimit të trafiqeve, që po dëmton seriozisht imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Të gjithë shqiptarët i njohin grupet kriminale dhe ortakët e tyre në nivelet më të larta shtetërore. Drejtësia të reagojë tani!

ilir meta

Sondazh

Poll