Aktualitet

Gruaja e Dizdarit tregon si u sëmur i shoqi pasi i shkatërruan qendrën në Ksamil: Pësoi infarkt, sot ka 4 unaza

Kjo sipas saj kishte ardhur si pasojë e stresit e ankthit që kanë kaluar për shkak debatit të bërë për qendrën kulturore.

25 Qershor 2022, 17:53 Nga F.M
Gruaja e Dizdarit tregon si u sëmur i shoqi pasi i shkatërruan
Adriana Dizdari

TIRANË- Adriana Dizdari, bashkëshortja e Limos Dizdarit ka treguar se si u përkeqësua shëndeti i të shoqi pas prishjes së qendrës “Dea” në Ksamil që tani nuk është më. Ajo tregon për News24 se kur bashkëshorti i saj ka përfunduar në intubim, kanë marrë vesh që muajt e fundit kishte kaluar një infarkt që as ata vetë nuk e kishin kuptuar. Kjo sipas saj kishte ardhur si pasojë e stresit e ankthit që kanë kaluar për shkak debatit të bërë për qendrën kulturore. Tashmë kompozitori ka katër unaza në zemër.

“Më thanë që duhet të futej në operim edhe pse ishte i intubuar. Më thanë që kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë, por që duhet të rrezikonim, pasi ashtu siç ishte, ishte i mbaruar. Nuk komunikova me asnjërën, e vura firmën vetë. Pas dy orësh doli mjeku që e operoi dhe më tha. Nga unë është gjithçka në rregull. I kishin vënë katër unaza dhe kishin bërë që të qarkullonta gjaku lirshëm. Doktori më kishte thënë që janë të njëjtat simptoma të Covid-19. Por, thanë që kishte kaluar një infarkt të rëndë. U kujtova që kishte kaluar një goditje të rëndë pak muaj më parë. Stresi i madh që iu bë, fyerja, ajo ndjenja që çfarë po bëjmë dhe si nuk na kuptojnë. Unë kur i shoh, çdo foto më tregon një moment. Them, o Zot i madh sa shumë punë kemi bërë, jemi krenarë. Por jemi keq për goditjen që na dhanë. Sikur kemi bërë diçka të shëmtuar,”- tha Adriana Dizdari.

Kompozitori i njohur Limos Dizdari ka dalë edhe në protest kundër shkatërrimit të qendrës së tij kulturore në Ksamil. Ai shprehej se gjatë 23 viteve ka investuar rreth 900 mijë euro aty, por që sot territorin e kanë marrë dhe ua kanë dhënë disa biznesmenëve.

limos dizdari adriana dizdari

Sondazh

Poll