Politike

Përçahet qeveria në Shkup, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

INA shkruan se kryetari i PLD-së, Goran Milevski, tashmë ka deklaruar se e kundërshton planin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Sofjes dhe Shkupit dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

23 Qershor 2022, 10:01 Nga F.M
Përçahet qeveria në Shkup, opozita kërkon zgjedhje të
Foto Ilustruese

MAQEDONI E VERIUT- Qeveria po përçahet në Maqedoninë e Veriut pasi një pjesë e koalicionit qeverisës ka dalë kundër propozimit francez që mundëson heqjen e vetos bullgare dhe u hap rrugën drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shqipërinë. Partia Liber Demokrate (PLD), DOM dhe Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit janë shprehur se nëse kryeministri Dimitar Kovaçevski e pranon propozimin francez, atëherë ata do të braktisin koalicionin qeverisës.

INA shkruan se kryetari i PLD-së, Goran Milevski, tashmë ka deklaruar se e kundërshton planin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Sofjes dhe Shkupit dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Si argument pse është kundër, Milevski shton se mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet të bëhen kushte evropiane, se çdo zgjidhje e propozuar duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Qëndrime të ngjajshme kanë shprehur edhe krerët e partive të tjera.

Nga ana tjetër, kjo çarje brenda Qeverisë është shfrytëzuar nga opozitarja VMRO-DPMNE, e cila sërish ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE në një konferencë për media kërkoi nga partnerët e koalicionit në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së që ta refuzojnë propozimin dhe i bëri thirrje Kovaçevskit, nëse mendon se propozimi është i mirë, të shkojë në zgjedhje. Nga kjo parti thonë se propozimi francez ka marrë pëlqimin edhe nga kryeministri Kovaçevski dhe ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe se ai duhet të ketë kaluar nëpër kanalet e komunikimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Republikës Franceze.

maqedonia e veriut

Sondazh

Poll