Bota

Ish-gjenerali rus kërcënon Lituaninë: Moska po përgatitet për t'iu përgjigjur vendeve armiqësore

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se masat janë marrë pas vendimit të Këshillit Europian për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

22 Qershor 2022, 10:25 Nga j.c
Ish-gjenerali rus kërcënon Lituaninë: Moska po përgatitet
Nikolai Patrushev

RUSI- Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev tha se Moska do t’i përgjigjet së shpejti masës së Lituanisë për të bllokuar dërgesat e qymyrit, metaleve, materialeve të ndërtimit dhe teknologjisë së avancuar nga Rusia në Kaliningrad.

Sipas Reuters, gjatë një vizite të martën në Kaliningrad, Patrushev tha se bllokada nga Lituania ishte nxitur nga Perëndimi "në shkelje të ligjit ndërkombëtar". Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë paralajmëroi se masat e duhura do të merren shumë shpejt.

"Rusia me siguri do t'i përgjigjet veprimeve të tilla armiqësore. Masat e duhura janë duke u përpunuar në një format ndërinstitucional dhe do të merren në të ardhmen e afërt. Pasojat e tyre do të kenë një ndikim serioz negativ në popullatën e Lituanisë,”-tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.

Më herët të martën, ambasadori i BE-së u thirr në ministrinë e jashtme ruse për bllokadën pasi javën e kaluar, autoritetet lituaneze njoftuan se do të ndalonin kalimin e mallrave që i nënshtrohen sanksioneve të BE-së përmes territorit të tyre në Kaliningrad. Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se masat janë marrë pas vendimit të këshillit Europian për  vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

"Nuk është Lituania duke bërë asgjë: janë sanksionet evropiane që filluan të funksionojnë nga 17 qershori... Kjo u bë me konsultim nga Komisioni Europian dhe sipas udhëzimeve të Komisionit Europian,"-tha ai.

Lista e sanksioneve përfshin ndalimin e qymyrit, metaleve, materialeve të ndërtimit dhe teknologjinë e avancuar. Si një anëtare e aleancës ushtarake të NATO-s, Lituania mbrohet nga traktatet e mbrojtjes kolektive.

Zyrtarët rusë janë të zemëruar me Lituaninë dhe BE-në për ndalimin e tranzitit të disa mallrave në Kaliningrad. Ata po e krahasojnë atë me një bllokadë. Të hënën, zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, vuri në dukje se situata është me të vërtetë shumë serioze dhe kërkon një analizë shumë të thellë përpara se të përgatitet ndonjë masë apo ndonjë vendim.

lituani lufta ukraine-rusi nikolai patrushev

Sondazh

Poll