Politike

Nesër mbledhja mes 2 qeverive Shqipëri-Kosovë, policia e Prishtinës merr masa

Gjithçka pritet të nisë në orën 11.15, për të vijuar me fjalë të mbajtur nga 2 kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti, e më pas nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore.

19 Qershor 2022, 12:43 Nga A.B
Nesër mbledhja mes 2 qeverive Shqipëri-Kosovë, policia e
Albin Kurti dhe Edi Rama

TIRANË- Nesër do të zhvillohet mbledhja e 8-të mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Në Prishtinë, do të takohen delegacionet e dy qeverive. Axhendën e plotë e kryeministrit Edi Rama është bërë e ditur për mediat.  Gjithçka pritet të nisë në orën 11.15, për të vijuar me fjalë të mbajtur nga 2 kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti, e më pas nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim. Pas ceremonisë do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu  i qeverisë do të vizitojë familjen e ish-presidentit, ish-kryeministrit dhe ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hage.

Gjatë kohës së zhvillimit të kësaj mbledhje, Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike. Në një deklaratë për media, Policia ka njoftuar se ata do të kujdesen dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë së Shqipërisë. Si shkak i mbledhjes, Policia sot pasdite dhe nesër do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojnë delegacionet.

“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet”, thuhet në njoftim.

AXHENDA:

11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë - Shqipëri
Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”
Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës - Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave
18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj

Mbledhja e fundit e dy qeverive u zhvillua në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit.

 

mbledhja shqiperi-kosove mbledhja e dy qeverive

Sondazh

Poll