Aktualitet

U kap me 20 kg kokainë, prokuroria: Vijon procesi në Apel për Kajmakun

Prokuroria ka bërë me dije se kishin ankimuar vendimin kundër Shkallës së parë që në muajin shkurt, duke ngulmuar se ish-kryebashkaku ishte i fajshëm për veprat penale të “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”.

14 Qershor 2022, 10:42 Nga k.m.
U kap me 20 kg kokainë, prokuroria: Vijon procesi në Apel për
Agim Kajmaku

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë për pushimin e çështjes ndaj ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili akuzohej për falsifikim dokumentash. Pas arrestimit të Kajmakut në Itali me 20 kg kokainë, Prokuroria ka bërë me dije se kishin ankimuar vendimin kundër Shkallës së parë që në muajin shkurt, duke ngulmuar se ish-kryebashkaku ishte i fajshëm për veprat penale të “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”.

"Informojmë gjithashtu se, ndaj këtij vendimi është ushtruar ankim nga organi i akuzës me objekt: “Ndryshimin e Vendimit Penal Nr. 3549, datë 30.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane, lidhur me procedimin penal nr. 8185 viti 2019, në ngarkim të të pandehurit A.K., përsa i përket fajësisë së të pandehurit për veprën penale të “Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i K. Penal” dhe dosja gjyqësore në datë 08.02.2022 është përcjellë për gjykim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë,"- njofton Prokuroria.

E gjitha, pasi ai u kap me 20 kg kokainë në Itali. Tani përveç shkresave, Kajmakut do t'i hetohet dhe pasuria që dyshohet se është vendosur si rezultat i fitimeve të paligjshme. Agim Kajmaku u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua nga PD se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Po ashtu, përmendej se në Greqi njihej me emrin Jorgo Toto.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e kishte ditur për dënimin në vendin fqinj.

Por përveç se shkeli ligjin e dekriminalizimit, Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 11 nëntorit të vitit 2019 dhe u kap më 7 korrik 2020, pasi përfundoi në spital nga diabeti. Ai akuzohej për falsifikim dokumentash. Fillimisht akuzat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohet se ai kishte marrë vendime edhe pse KQZ kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, socialisti shkarkoi nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi të besuarin e tij. 

agim kajmaku prokuroria e tiranes tirane

Sondazh

Poll