Sport

“Një verë europiane është shumë më e bukur se sa një verë me vetëm stërvitje”

Taulant Seferi edhe Redon Xhixha, janë ndër lojtarët më të kërkuar në merkaton e verës çka mund të sjelli ndryshime tek ekipi i Tiranës. Trajneri i kampionëve Orges Shehi tregon diçka më tepër rreth kësaj situate.

13 Qershor 2022, 15:30 Nga DOSJA
“Një verë europiane është shumë më e bukur
Orges Shehi, trajneri i Tiranës

TIRANE - Skuadra kampione e vendit, Tirana, po përgatitet për sezonin e ri, i cili për ta fillon nga Champions League, ndryshe nga një vit më pare, ku nuk mundën të merrnin pjesë në kupat e Europës. Bardhebluve i është larguar kapiteni Erjon Hoxhallari, ndërkohë që Taulant Seferi me 19 golat e tij, apo edhe Redon Xhixha, janë ndër lojtarët më të kërkuar në merkaton e verës çka mund të sjelli ndryshime tek ekipi. Gjithsesi Orges Shehi tregon për “Top Channel” diçka më tepër rreth kësaj situate.

“Jo vetëm Taulanti dhe Xhixha janë nën vëzhgim, por kjo do të peshohet mirë nga ana jonë. Nga ana sportive, sigurisht që ne duam që ata të rrinë këtu gjithmonë. Me sa dijeni kam unë, nuk ka ende një ofertë konkrete të kënaqshme për klubin. Unë personalisht si trajner nga ana sportive do të më vinte keq, do të isha i mërzitur për veten, por i kënaqur për lojtarët, nëse ata do të transferoheshin jashtë”.

Ferencvarosh, Ludogorec, Cluj, Maribor dhe Dundelanzh do të jenë rivalët e Tiranës, që të hënën do të mësojë se me cilin prej tyre do të përballet në Kupat e Europës, çfarë pretendimesh ka Shehi për këtë short?

“Shpresojmë që të kemi një kundërshtar të përshtatshëm dhe të mos ketë disnivel shumë me ne, por jemi të vetëdijshëm që janë vetëm dy ndeshje dhe duhet besim. Kampionatin mund ta marrë një skuadër me buxhet më të madh dhe më e plotë, kurse në këto ndeshje me eliminim çdo gjë mund të ndodhi”.

Prej shumë vitesh Orges Shehi ka qenë pjesë e Skënderbeut të sukseseve të mëdha europiane dhe ai ia di mirë kuptimin, vlerën apo edhe si fitohen këto takime europiane.

“Këtë eksperiencë që kam, pas 16 ndeshje në Champions League, do të mundohem t'ia transmetojë lojtarëve të mi, por gjithmonë e kam thënë, se ky është pasioni ynë, ky është futbolli ynë dhe ne duhet ta shijojmë. Një verë europiane është shumë më e bukur se sa një verë me vetëm stërvitje”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll