Sport

Mungesa e madhe e Kombëtares kuqezi në përballjen e sotme kundër Izraelit

Golashënuesi më i mirë i kuqezinjve, sulmuesi 31-vjeçar, nuk do të jetë sot i gatshëm për trajnerin Reja dhe do ta ndjekë ndeshjen ndaj Izraelit nga tribuna e “Air Albanias” (20:45)

10 Qershor 2022, 11:07 Nga DOSJA
Mungesa e madhe e Kombëtares kuqezi në përballjen e sotme
Sokol Cikalleshi, sulmuesi i Kombëtares kuqezi

DURRES - Nuk qenka e thënë që trajneri i kuqezinjve Edi Reja t’i kalojë ndeshjet e fillimqershorit për Nations League pa ‘dhimbje koke’.

Ndërsa pritej që në ndeshjen e të premtes së 10 qershori ndaj Izraelit, radhët e kuqezinjve të shtoheshin edhe me Armando Brojën, i cili u negativizua nga Covid-19, si dhe Myrto Uzunin e dëmtuar, sot mësohet se një tjetër lojtar titullar do t’i mungojë Kombëtares sonë.

Burime të sigurta raportojnë për "Dosja.al", se sulmuesi Sokol Cikalleshi, shënuesi më i mirë i kuqezinjve, nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Izraelit dhe do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna e “Air Albanias”. “Çika”, siç e thërrasin shokët në Kombëtare, ditën e djeshme nuk ka marrë pjesë në stërvitje, pasi ka qenë me temperaturë.

Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, ai nuk është në gjendje të mire shëndetësore dhe do t’i mungojë kuqezinjve, në një ndeshje tepër delikate, ku prania e tij do të ishte tepër e nevojshme. Në këto kushte trajneri Reja duhet të gjejë alternativa të reja për të ndërtuar repartin e sulmit të Kombëtares për sfidën e rëndësishme ndaj Izraelit.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll