Bota

Scholz në Prishtinë/ Mesazhet e Kancelarit: Të rijetëzohet Procesi i Berlinit, liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë

Scholz kërkoi që dialogu mes dy vendeve të ecë përpara, ndërsa kërkoi zotim të dypalëve.

10 Qershor 2022, 10:29 Nga f.g
Scholz në Prishtinë/ Mesazhet e Kancelarit: Të rijetëzohet
Olaf Scholz dhe Albin Kurti

KOSOVË- Kancelari Olaf Scholz mbërriti sot në Prishtinë në një ndalesë të shkurtër para vizitës në Serbi dhe vazhdimin e turit të tij në rajon. Në Kosovë ai u prit nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrat ku u zhvillua edhe një konferencë për mediat. Kancelari gjerman e nisi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave. 

“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, tha ai.

Scholz kërkoi që dialogu mes dy vendeve të ecë përpara, ndërsa kërkoi zotim të dypalëve. "Marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen pjesë e BE-së", tha Scholz.

Më tej, Scholz kërkoi që rajoni ti drejtohet Procesit të Berlinit si e vetmja rrugë e njohur për Evropën, ndërsa sërish nuk e përmendi "Open Balkan". 

"Udhëtimi im këtu është për t’i vazhduar bisedat që kemi nisur në Berlin, Proceli i Berinit është e vetmja gjë që po të nisë do të ndihmojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE. Ne nuk mund të vendosim çdo gjë, por është e rëndësishmë që ne në Evropë të kemi një proces, që pranohet dhe zhvillohet. Ka vende që na inspirojnë besim dhe këtë duam ta zhvillojmë më tej."-tha Scholz.

Krah tij, Albin Kurti konfirmoi mbështetjen e Kosovës për të rijetëzuar Procesin e Berlinit ndërsa njoftoi Scholz se Kosova në fund të vitit do të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. 

“Në përputhje me premtimet dhe perspektiven evropiane po punojnë për përmbushjen e reformave për anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatin për BE ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, tha Kurti.

Kurti kërkoi mbështetjen gjermane dhe konfirmoi besnikërinë e Kosovës ndaj Gjermanisë.

 “Gjermania ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në rindërtimin e Kosovës. Kancelarin Scholz e sigurova se Kosova është dhe do të mbetet partner i besueshëm i Gjermanisë”, shtoi Kurti.

Fajin për bllokimin e dialogut, Kurti ia hodhi Serbisë dhe theksoi se tregu i përbashkët rajonal krijohet përmes Procesit të Berlinit. 

"Serbia po vazhdon të bllokojë procesin. Kancelarin e njoftova për rëndësinë që Kosova i kushton procesit të Berlinit si mundësia më e mirë për rajonin. Nxisim dhe inkurajojmë çdo vend në Ballkan që të angazhohet në tregun e përbashkët rajonal. Ne besojmë se të gjithë do të përfitojmë duke hequr barrierat me tregtinë e lirë”, tha Kurti.

Kancelari gjerman Olaf Scholz nisi sot turin në Ballkan ku ndaloi në Kosovë, atje ku pritet që Scholz  të vizitojë edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Fokusi i udhëtimit është perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

olaf scholz olaf scholz ne prishtine albin kurti

Sondazh

Poll