Aktualitet

KPA vendos! Shkarkohet kryegjyqtari i Apelit në Gjirokastër, Dritan Banushi

Dritan Banushi ishte konfirmuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 janar të vitit 2020, por vendimi u kundërshtua nga Komisioneri Publik

8 Qershor 2022, 17:35 Nga k.m
KPA vendos! Shkarkohet kryegjyqtari i Apelit në Gjirokastër, Dritan
Dritan Banushi

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur sot që të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi. Banushi ishte konfirmuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 janar të vitit 2020, por vendimi u kundërshtua nga Komisioneri Publik me arsyetimin se KPK nuk kishte vlerësuar siç duket pasurinë e subjektit.

Vlerësimi i ankimit ndaj Banushit u shqyrtua nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo sot, duke vendosur shkarkimin e tij nga detyra. Subjekti i rivlerësimit nuk justifikon blerjen e një automjeti tip Audi në vitin 2007, si dhe për riparimin e tij. Po ashtu, ka pasur edhe pamjaftueshmëri financiare dhe për krijimin e dy depozitave të tij.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 229, datë 28.01.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 229, datë 28.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur  shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Dritan Banushi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 08.06.2022.

Sondazh

Poll