Aktualitet

Rrëmbimi dhe vrasja e Jani Prengës/ SPAK kërkon burg përjetë për kopshtarin Bexhdili: Di ku është trupi

Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth. Ka dyshime se Festim Bexhdili di vendin ku mund të jetë groposur Jan Prenga.

7 Qershor 2022, 11:45 Nga A.B
Rrëmbimi dhe vrasja e Jani Prengës/ SPAK kërkon burg
Jan Prenga

TIRANË-Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) kërkon burg përjetë për Festim Bexhdilin, i cili akuzohet se ka marrë pjesë në pengmarrjen e për pasojë vrasjen e Jan Prengës. Sipas SPAK, Bexhdili, i cili ishte kopshtari i kompleksit 'Golden' në Shijak dyshohet se ka marrë furgonin nga ambjentet e resortit së bashku me trupin e dyshuar si të pajetë dhe e ka transportuar jashtë ambjenteve ku dyshohet se e ka fshehur kufomën.

SPAK ka dyshime të forta se Bexhdili ka dijeni për vendin ku është groposur trupi i Prengës mirëpo nuk do ta zbulojë. 

I pandehuri nuk ka treguar të vërtetën dhe as vendin ku është fshehur trupi i viktimës dhe nuk e tregon as sot”, është shprehur prokurorja Elida Kaçkini.

Gjatë marrjes në pyetje, më 3 shkurt të 2020-ës, Bexhdili ka dëshmuar se punonte si kopshtar në kompleksin “Golden” dhe se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë. Bixhdili ka treguar se është larguar me një furgon të bardhë dhe disa kilometra nga resorti, trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra, të dy persona të shpallur në kërkim. Më pas, ai ka treguar se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020, dhe prej gati 2 vitesh trupi i tij nuk është gjetur. Prenga, me profesion mobilier, u rrëmbye në Kamëz ku edhe jetonte me familjen, kur në rrugën “London” u fut forcërisht në një makinë të autorëve, Range Rover i bardhë. 

Babai i 5 fëmijëve, e pësoi prej vëllait të tij, Astrit Prenga, korrier i grupeve të trafikantëve të drogës dhe kishte vjedhur 283 kg kokainë në Portin Portsmouth, që i përkiste Dritan Rexhepit dhe Gentjan Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Kanë qënë këta të fundit ata që kërkuan nga Astriti të kthente lëndën narkotike. Sipas SPAK urdhrin e tyre e ekzekutuan Martin Bleta dhe Korado Keshteja të cilët rrëmbyen Jan Prengën, ndërsa Artan Docaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, sipas hetuesve, e vranë më 17 janar 2020.

Me anë të pamjeve filmike, policia provoi se trupi i Jan Prengës kishte qenë Brenda kompleksit “Golden” dhe në atë kohë, arrestoi Leonard Hajri, babain i tij Bajram Hajri dhe kushëririn Elton Hajri, bashkë me Aleks dhe Ardian Doçajn, të cilët me vijimin e hetimeve u lanë të lirë pasi prokuroria tha se nuk provohet që të kenë qenë bashkëpunëtorë në krim. Altin Hajri, pronar i kompleksit "Golden" në Shijak dyshohet se është personi që mori porosinë për rrëmbimin e Jan Prengës nga një telefonatë prej Ekuadorit nga i dyshuari Dritan Rexhepi.

Astrit Prenga është arrestuar në Angli, Dritan Rexhepi, aktualisht është i burgosur në Ekuador ndërsa Gentjan Funiqi, i shpallur në kërkim ka precedentë penal në fushën e narkotikëve. 

Sot në burg ka mbetur vetëm Festim Bexhdili... 

Sondazh

Poll