Politike

VD-Presidenti i ri, Kryemadhi: Asgjë personale me Begajn, diskutimet për dekretin t'i drejtohen GJK

Kryetarja e LSI-së shtoi se një president i denjë për të do mund të ishte një gazetar ose analist që ka pavarësi politike.

6 Qershor 2022, 12:09 Nga A.B
VD-Presidenti i ri, Kryemadhi: Asgjë personale me Begajn, diskutimet
Monika Kryemadhi

TIRANË- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i ka uruar suksese në detyrën e re, Bajram Begajt. Për 'News24', Kryemadhi u shpreh se posti i Presidentit kërkon integritet, pavarësi veprimi e mendimi. Po ashtu, sipas Kryemadhit procesi i zgjedhjes së Presidentit ishte përjashtues. Diskutimet që u bënë për dekretin e firmosur nga Ilir Meta, sipas Kryemadhit mund t'i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese nëse duan që të jenë më të qartë.

Kryetarja e LSI-së shtoi se një president i denjë për të do mund të ishte një gazetar ose analist që ka pavarësi politike.

“Për hir të së vërtetës nuk jam juriste konstitucionaliste, që të diskutoj dekretet e Presidentit nga ana kushtetuese. Mendoj që mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, e cila do ta bënte cdo gjë më të qartë. Duke iu drejtuar asaj, marrin përgjigje dhe deklaratat e Berishës. Nuk kam asgjë personale me Begajn, madje i uroj suksese në postin e tij të ri, por theksoj se të qenit President kërkon integritet, pavarësi veprimi e mendimi, si dhe atdhedashuri. Nuk e di nëse kjo do të jetë e mundshme për të, duke pasur parasysh një qeveri autokrate. I gjithë procesi ishte jokonsensual, përjashtues. Kushtetuta thotë që nuk duhen përjashtuar palët, por duhen përfshirë në debat. Për mua mund të ishte President një gazetar, një analist që kishte pavarësi politike dhe integritet. Ajo që të bën përshtypje është verdikti i votës së mazhorancës, që i ka dhënë të drejtë të zgjidhet President pa konsensus”, tha Kryemadhi.

Sondazh

Poll