Politike

Rruga Kardhiq Delvinë, Tabaku: Duhet të ishte përfunduar, qeveria mbush xhepat

Deputetja thotë se shpenzimet për këtë rrugë janë rritur me thuajse 30% duke treguar më shumë hallin e qeverisë për të hedhur në xhepat e kompanive që ndërtojnë këtë rrugë se sa përfundimin e saj.

6 Qershor 2022, 10:02 Nga A.B
Rruga Kardhiq Delvinë, Tabaku: Duhet të ishte përfunduar, qeveria
Jorida Tabaku

TIRANË- Deputeti Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë për projektin e rrugës Kardhiq Delvinë. Sipas Tabakut projekti i cili duhet të ishte përfunduar është përballur me dështime në tendera dhe me shenja të qarta të abuzimit me fondet. Deputetja thotë se shpenzimet për këtë rrugë janë rritur me thuajse 30% duke treguar më shumë hallin e qeverisë për të hedhur në xhepat e kompanive që ndërtojnë këtë rrugë se sa përfundimin e saj.

POSTIMI:

A duhet të normalizojmë korrupsionin? Në shqip, fjala e urtë popullore “I kushtoi sa frëngu pulën” do të mund të kuptohej nën shembullin e rrugës Kardhiq Delvinë që nisi me një parashikim në buxhetin afatmesëm me vlerë 5.2 mld lekë dhe që më pas shkoi në 6.7 mld lekë. Kjo rrugë ka dhe një nga historitë më domethënëse se si paratë e taksave të shqiptarëve keqpërdoren vazhdimisht për t’u ofruar herë pas here shqiptarëve një copëz tuneli si një arritje e madhe. Rruga ka nisur që në vitin 2018 dhe është thuajse 35 km e gjatë, me logjikë duhet të kishte përfunduar me kohë, por nuk ka përfunduar. Njësoj si shumica e rrugëve të nisura nga kjo mazhorancë, përfshirë dhe kryeveprën e dështimit rruga e Arbrit, kjo rrugë ka pësuar rritje të vazhueshme të shumës, dështime me tendera dhe shenja të qarta abuzimi me fondet.

Vetëm vitin e fundit shpenzimet për këtë rrugë janë rritur me thuajse 30% duke treguar më shumë hallin e qeverisë për të hedhur në xhepat e kompanive që ndërtojnë këtë rrugë se sa përfundimin e saj. Sivjet jemi në një vit ku shpenzimet e çdo qytetari po rriten me nga 30%-40% ndërkohë që qeveria jonë ka ndihmën më të ulët në rajon për familjet. Fotot e bukura, projektet 3 D dhe pamjet video vetëm sa mbulojnë korrupsionin e një qeverie që i ka lënë rrugët dhe shqiptarët rrugëve.

Sondazh

Poll