Politike

Dekreti i Metës, si e përçau Gjenerali i Ramës komandën e opozitës

Përplasja është ende e nxehtë, e ndërsa kryedemokrati e thotë hapur dhe me emër se Meta është përgjegjës, kreu i shtetit hesht.

5 Qershor 2022, 12:20 Nga k.m
Dekreti i Metës, si e përçau Gjenerali i Ramës
Bajram Begaj

TIRANË- Gjeneral Bajram Begaj tashmë është zyrtarisht presidenti i Republikës, pasi u miratua dje me 78 vota pro në raundin e katërt. Por duket se përveç faktit që në postin e kreut të shtetit është zgjedhur ai që donte Edi Rama, opozita është më e përçarë se kurrë. Madje po rrezikon një aleancë që ka premtuar shumë.

Dekretimi i lirimit nga detyra i Begaj si shef i Shtabit të Forcave të Armatosura u firmos nga presidenti Ilir Meta në Stamboll, kjo pasi presidenti ndodhet atje për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar. Më herët, Meta kishte paralajmëruar se do të respektonje çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.

'Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi.'- njoftoi presidenca, duke ju referuar dekretimit të dorëheqjes së Begajt, nga posti i Kreut të Shtabit të Përgjithshëm. E më pas nxorrën videon ky Meta firmoste, duke injoruar thirrjen e Sali Berishës.

Që në mëngjes, pa folur me Niko Peleshin në telefon, kryedemokrati Sali Berisha i kërkoi Metës që të mos firmoste gjë. Kjo pasi, në Kushtetutë do të krijohej një precedent i rrezishëm, që në të ardhmen mund të keqpërdorej. Por Meta nuk e dëgjoi dhe vendosi të çonte deri në fund porosinë e Ramës.
Berisha nuk u kursye. Pas la seancën plenare ku po votohej për presidentin e ri, ai hodhi akuza për maxhorancën duke thënë se Bajram Begaj ka shkuar në zyrën e presidentit si shefi i shtabit. Ai tha se dekreti i Metës i firmosur jashtë shtetit nuk është i ligjshëm, teksa pyetur nëse do e ankimojë në Kushtetuese, u justifikua duke thënë se kjo Gjykatë është e kapur.

"Metës i është dërguar dekretimi dhe çdekretimi i kandidatit. Kurrë nuk do të gjeni një rast të vetëm kur një person kalon nga karrigia e shefit të shtabit të përgjithshëm në president, kjo ndodh vetëm në junta dhe grushte shtetit. Kjo procedurë është shumë e rrezikshme për vendin, sepse kjo i hap rrugë që çdo shef shtabi të ketë dëshirën për t’u bërë president, i cili në rastin konkret Rama është korruptuar me pronat e ushtrisë. Një rast që s’ka ndodhur kurrë në historinë e vendeve të lira dhe unë e denoncoj këtë. Burime të besueshme të mediave dhe politikanëve kanë denoncuar se zotëria ka firmën mbi dokumentet e plaçkitjes së bazave ushtarake në Sarandë dhe në Gjirin e Palit. SKAPI i partisë tha se nuk ka asnjë hetim për Begaj, nuk guxon që të nisë hetimet nga politikanëve, për Ahmetaj dhe për Erion Veliaj. Jashtë territorit nuk ka dekret. Jemi në shkeljet flagrante të Kushtetutës, Lindita Nikolla e ka si me çelës Kuvendin. Me këtë kontroll që ka ekzekutivi mbi drejtësisë, c’po ndodh me gjykatën Kushtetuese, e mban çështjen dhe kujtohet në fund që nuk legjitimohet”, tha Berisha.

Në Gjykatë nuk e çon por kjo mund të thotë shumë gjëra të tjera. Teksa Ilir Meta premton rikthim të zjarrtë në skenën politike më 25 korrik, kur i mbaron edhe mandati, la të kuptohet se do të kishte koalicion me Berishën. Tek e fundit, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit u futën në një koalicion të përbashkët. Por ka zgjatur pak dashuria me shikim të dytë. Meta edhe njëherë duket se ka lënë Berishën për Ramën, ashtu siç bëri në vitin 2013, duke i marrë edhe pushtetin.

Përplasja është ende e nxehtë, e ndërsa kryedemokrati e thotë hapur dhe me emër se Meta është përgjegjës, kreu i shtetit hesht. Por me shumë gjasa, krisma do dëgjohet më vonë. Por që përfundim ka vetëm një: përçarjen e mëtejshme të opozitës. Pak por të sigurtë.

Sondazh

Poll