Politike

Votimi për presidentin e ri, Bardhi: Mungesa në sallë s'është bojkot, por koherencë

Duke folur për akuzat e ‘Rithemelimit’, Bardhi tha se ky i fundit i ka 20 firma për të propozuar një kandidaturë të tijën për kreun e shtetit.

3 Qershor 2022, 21:18 Nga DOSJA
Votimi për presidentin e ri, Bardhi: Mungesa në sallë
Gazment Bardhi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se mungesa në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë zgjedhjes së Presidentit është një qëndrim koherent i grupit ku ai bën pjesë. I ftuar në emisionin “Kontrast”, Bardhi deklaroi se ky vendim vjen si pasojë e prishjes së marrëveshjes nga ana e PS dhe se Grupi Parlamentar i PD nuk ka arsye pse ta legjitimojë seancën.

Duke folur për akuzat e ‘Rithemelimit’, Bardhi tha se ky i fundit i ka 20 firma për të propozuar një kandidaturë të tijën për kreun e shtetit.

“Nuk jemi fare fasadë siç na akuzojnë. Ne nxorëm zbuluar fasadën që po përgatiste. Vota jonë nuk e bllokon dot Edi Ramën nesër që të zgjedhë Presidentin. Vendimi ynë nuk është bojkot. Nëse ata janë partizanët e mos-bojkotit, shumë mirë mund të kishin propozuar një emër me 20 firma deputetësh. Për aq kohë sa Rama ka vendosur të zgjedhë kreun e shtetit në një proces 24 orësh, kjo nuk është një situatë normale dhe nuk mund të bëhemi pjesë. Ne nuk kemi marrë pjesë në seancë as në raundin e tretë. I gjithë grupi ynë parlamentar pas raundit të dytë, kur mazhoranca u tërhoqe nga një marrëveshje publike mes palëve, deklaruam se nuk do të bëhemi më pjesë e këtij procesi. Pra është një qëndrim koherent dhe s’ka të bëjë me frikë për rrjedhje votash etj” – tha Gazment Bardhi.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot kandidaturën e Partisë Socialiste për të marrë drejtimin e Presidencës. Ai është Bajram Begaj, komandanti i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Begaj është propozimi i PS për president. Ai do votohet nesër në raundin e katërt që duhen vetëm 71 vota.

Sondazh

Poll