Bota

Blinken pret në takim ministrin e jashtëm maqedonas, Osmani: Hapim një kapitull të ri të partneritetit strategjik

Ministri Osmani në faqen e tij zyrtare në facebook ka thënë se partneriteti me SHBA-të është tejet i rëndësishëm dhe se sipas tij dy vendet tani janë në një fazë të re të miqësisë.

3 Qershor 2022, 13:34 Nga DOSJA
Blinken pret në takim ministrin e jashtëm maqedonas, Osmani: Hapim
Osmani dhe Blinken

SHBA- Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është pritur në një takim nga Sekretari Shtetëror i SHBA-ve, Antony Blinken. Ministri Osmani në faqen e tij zyrtare në facebook ka thënë se partneriteti me SHBA-të është tejet i rëndësishëm dhe se sipas tij dy vendet tani janë në një fazë të re të miqësisë.

Falënderim i veçantë për Dialogun e shkëlqyer Strategjik, që po zhvillohet sot në Uashington nën patronazhin e Stejt Departamentit. Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hy në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë. SHBA-të mbështesin pa mëdyshje integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit. Si aleatë të NATO-s i ndajmë principet dhe vlerat bashkëkohore demokratike dhe e dënojmë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës”, ka thënë Osmani.

Ai e konsideroi një nder i veçantë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që mban Dialog Strategjik me ShBA-të, një proces i rëndësishëm përmes së cilit thellohet partneriteti ynë strategjik dhe më konkretisht vihet në kornizë bashkëpunimi ynë bilateral. 

Në takim u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë, ku u shpreh dënim i përbashkët i pushtimit ushtarak rus, si dhe mbështetja dhe solidariteti i fuqishëm me Ukrainën. Njëherazi, u theksua se situata aktuale kërkon dinamikë të re në proceset eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të konfirmojë besueshmërinë e BE-së dhe do të inkurajojë proceset për tejkalimin e dallimeve dhe pajtimin në rajon.

“Procesi i zgjerimit të BE-së paraqet çështje sigurie, kurse perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe besueshmëria e këtij procesi janë thelbësore për stabilitetin rajonal dhe evropian.  Jemi mirënjohës për mbështetjen e fuqishme amerikane për fillimin sa më të shpejtë të procesit të negociatave të Maqedonisë së Veriut, që aktualisht është mënyra më e mirë që të ruhet besueshmëria e këtyre proceseve,”- tha Osmani.

Në takim, ministri Osmani e përshëndeti partneritetin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, veçanërisht në kontekstin e NATO-s, duke theksuar kështu partneritetin strategjik mes dy vendeve, tashmë të avancuar edhe me Dialogun Strategjik, si një nga shtyllat më të rëndësishme për stabilitetin afatgjatë të Maqedonisë së Veriut dhe për zhvillimin e saj demokratik dhe civilizues.

Sondazh

Poll