Politike

Berisha dhe deputetët e PD firmosin Rezolutën kundër genocidin serb në Kosovë

Opozita kërkon që të shpallet data 15 Janar si ditë e përkujtimit të masakrës së Reçakut.

31 Maj 2022, 11:09 Nga DOSJA
Berisha dhe deputetët e PD firmosin Rezolutën kundër genocidin
Sali Berisha

TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike, kryesuar nga Kryetari i PD-së Sali Berisha kanë firmosur Rezolutën kundër genocidin serb në Kosovë. Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka ndarë rezolutën e plotë në rrjetin social Facebook. Opozita kërkon që të shpallet data 15 Janar si ditë e përkujtimit të masakrës së Reçakut.

REZOLUTA:

1. Dënon fuqishëm genocidin serb në Kosovë ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut;

2. Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake Serbo-Jugosllave, si dhe luftës së përgjakshme, gjatë periudhës 1998-1999, forcat serbe kryen në Kosovë genocid;

3. Dënon ashpër çdo tendencë për të mohuar genocidin në Kosovë, me qëllim fshehjen e këtyre krimeve monstruoze ndaj njerëzimit, që tmerruan botën, ndaj popullatës pafajshme të Kosovës;

4. Fton institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë të nderojnë viktimat e genocidit në Kosovë;

5. Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e genocidit në Kosovë për faktin se nuk mund të ketë paqe pa vendosur drejtësi;

6. Kërkon nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë të bashkëpunojë dhe të ndihmojë Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, për të paraqitur dhe mbrojtur para drejtësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare faktet dhe argumentet ligjorë, të cilat provojnë genocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës 1998-1999.

Në Kuvend ka dorëzuar Rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë edhe një grup deputetësh të PD, kryesuar nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll