Bota

Macron telefonon Erdogan, i kërkon të respektojë vendimet e Suedi-Finlandë për anëtarësimin në NATO

Gjatë bisedës, sipas një deklarate nga Pallati Elysee, Macron i bëri thirrje presidentit turk që të respektojë vendimet e marra nga qeveria suedeze dhe finlandeze për anëtarësim në Aleancë dhe uroi një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Ankarasë.

26 Maj 2022, 16:31 Nga DOSJA
Macron telefonon Erdogan, i kërkon të respektojë vendimet e
Macron dhe Erdogan

FRANCË- Presidenti francez Emanuel Macron pati një bisedë telefonike me homologun turk Rexhep Taip Erdogan për çështjen e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO sot në mëngjes. 

Gjatë bisedës, sipas një deklarate nga Pallati Elysee, Macron i bëri thirrje presidentit turk që të respektojë vendimet e marra nga qeveria suedeze dhe finlandeze për anëtarësim në Aleancë dhe uroi një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Ankarasë. Përveç kësaj, të dy krerët diskutuan çështje rajonale, duke përfshirë marrëdhëniet Turqi-Francë, si dhe luftën Ukrainë-Rusi.

Erdogan tha se donte që "një paqe e drejtë midis Rusisë dhe Ukrainës" të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur dhe se ai vazhdon të inkurajojë të dy vendet që të përpiqen t'i japin fund luftës përmes dialogut dhe diplomacisë.

Presidenti turk tha gjithashtu se kontaktet e Suedisë dhe Finlandës me organizatat e kontrolluara nga PKK/YPG nuk do të jenë në përputhje me frymën e aleancës së udhëhequr nga NATO.

Të dy presidentët diskutuan nevojen urgjente për të mundësuar eksportin e drithërave ukrainase nga të cilat shumë vende varen për sigurinë e tyre ushqimore. Ata folën për mënyrat e ndryshme të mundshme të transportit të grurit jashtë Ukrainës dhe ranë dakord të qëndrojnë në kontakt për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll