Bota

Gjermania zgjat misionin e trupave të saj në Kosovë, Hebstreit: Ka rrezik për konflikt dhe përshkallëzim

Lajmin e ka konfirmuar vetë kancelari gjerman Olaf Scholz ku dhe theksoi se ky është misioni më i gjatë i Bundeswehr-it (forcat e armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë) në histori.

26 Maj 2022, 13:10 Nga DOSJA
Gjermania zgjat misionin e trupave të saj në Kosovë, Hebstreit:
Forcat gjermane ne Kosove

KOSOVË- Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë qëndrimin dhe misionin e ushtarëve të saj, pjesë e trupave të KFOR-it në Kosovë, me një vit.

Lajmin e ka konfirmuar vetë kancelari gjerman Olaf Scholz ku dhe theksoi se ky është misioni më i gjatë i Bundeswehr-it (forcat e armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë) në histori.

Sipas mediave gjermane, për shkak të “situatës relativisht paqësore” në Kosovë, aktualisht janë vetëm shtatëdhjetë ushtarë nga Gjermania dhe numri maksimal mund të shkojë deri në 400 nëse do të jetë e nevojshme.

Sipas zëdhënësit të qeverisë Stephen Hebstreit duke parë dhe situatën e krijuar në Ukrainë, stabilizimi i qëndrueshëm i Ballkanit Perëndimor është me interes të madh gjeostrategjik, sidomos në veri të Kosovës ku ka potencial për konflikt dhe përshkallëzim.

Zgjatja e mandatit për një vit duhet të miratohet nga parlamenti gjerman në javët në vijim, por nuk mendohet se do të ketë probleme që të mos votohet.

Misioni i Bundeswehr-it në Kosovë shënoi rekord si misioni më i gjatë ushtarak në historinë moderne gjermane, i cili filloi në qershor 1999 pas bombardimeve të RF të Jugosllavisë. NATO thekson se 3800 ushtarë nga 28 vende janë aktualisht në terren në KFOR.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll