Aktualitet

E RËNDË në Tiranë/ Vrasje brenda Komisariatit Nr.3! Polici qëllon me armën e shërbimit kolegun

E rëndë në Komisariatin nr.3! Ludjan Zaimi ka qëlluar me armë zjarri kolegun e tij, Çaush Saliasi gjatë kohës që po merrnin instruktazhin për turnin e tretë duke i marrë kështu jetën.

23 Maj 2022, 21:02 Nga DOSJA
E RËNDË në Tiranë/ Vrasje brenda Komisariatit Nr.3! Polici
Pamje nga Komisariati nr.3

TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Komisariatin Nr.3 në Tiranë, që është kthyer në një skenë krimi! Një efektiv policie, Ludjan Zaimi ka qëlluar me armë zjarri kolegun e tij, Çaush Saliasi gjatë kohës që po merrnin instruktazhin për turnin e tretë duke i marrë kështu jetën. Të rreshtuar në oborrin e Komisariatit, gati për të pritur direktsionet nga eprorët, të dy janë përfshirë në një sherr, që mendohet se ka nisur për shkaqe banale. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ka nisur sepse Saliasi ironizonte kolegun e tij, që prej më shumë se një viti shërbente në radhët e Policisë së Shtetit. Në dëshminë e tij, autori ka thënë se viktima e ka ngacmuar me fjalë dhe se gjithë kohës që hasej me të, efektivi e bullizonte, deri në momentin që nuk ka duruar më dhe ka nxjerrë armën.

“Para se të merrnin shërbimin ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme,”- mësohet se është shprehur ai para kolegëve të tjerë që kanë nisur ta marrin në pyetje.

Edhe sot, mendohet se ka ndodhur e njëjta gjë, por kësaj here i riu ka nxjerrë armën nga këllufi dhe ka qëlluar mbi kolegun e tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Ndërkohë që disa kolegë dërguan të plagosurin në spital, të tjerët i vunë pranga 25-vjeçarit dhe kanë nisur marrjen në pyetje për të mësuar shkakun e vërtetë të krimit. Ndonëse efektivit veteran, që kishte 20 vite në Policinë e Shtetit, iu dha ndihma e parë, ai nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë në spital. Çaush Saliasi fillimisht është dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe është futur në sallën e operacionit, ndërsa nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Paraprakisht në vendngjarje janë dëgjuar gjashtë të shtëna, e po aq plumba mendohet se ka marrë 55-vjeçari në trup. Ndërkohë që sipas informacioneve, të dy janë policë të patrullës së përgjithshme, ndërsa viktima ishte në prag pensioni e prej dy dekadash mbante veshur uniformën e Policisë së Shtetit.

Për të hetuar ngjarjen e rëndë në Komisariatin Nr. 3 ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, si edhe një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Kohët e fundit në vendin tonë, Komisariatet janë kthyer në vendet më të pasigurta, pasi deri më tani janë regjistruar dy vetëvrasje nga të paraburgosurit që kanë shkaktuar trazira në vend.

(k.m/dosja.al)

 

Sondazh

Poll