Aktualitet

VD-Bregdeti në Shëngjin mbulohet nga pluhuri i verdhë, IMT: Mund të jetë nga anijet

Ndaj menjëherë, sot janë vënë në lëvizje IMT (Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit) dhe Agjensia e Mjedisit për të verifikuar situatën në terren.

22 Maj 2022, 13:00 Nga DOSJA
VD-Bregdeti në Shëngjin mbulohet nga pluhuri i verdhë, IMT: Mund
Foto nga Shëngjini

LEZHË- Pas pulave të ngodhura, sot bregu i plazhit të Kunës në Shëngjin u mbulua nga një pluhur i verdhë. Kjo situatë vijon prej dy ditësh dhe nuk dihet çfarë mund të ketë shkaktuar këtë ndotje, fiks në prag të nisjes së sezonit turistik.

Pasi kanë konstatuar lëndën e çuditshme në det, pushuesit dhe pronarët e bizneseve buzë detit kanë kërkuar ndërhyrjen e instancave përkatëse. Ndaj menjëherë, sot janë vënë në lëvizje IMT (Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit) dhe Agjensia e Mjedisit për të verifikuar situatën në terren.

Fillimisht kanë marrë kampionet e para nga uji në plazh, për të përcaktuar shkaqet e ndotjes, por kanë shprehur edhe dyshimet e para. Përgjegjësi i IMT në Lezhë, Gjergj Elezi thotë se një lëndë e verdhë dyshohet se është hedhur nga anijet që mund të kenë shkarkuar vaj në bregdet, por ende nuk është e sigurtë.

“Ne kemi njoftuar policinë, kapitenerinë, agjensinë rajonale të mjedisit që ka marrë kampionin se çfarë lënde mund të jetë hedhur në det. Dyshimet e para tonat se materiali duhet të jetë hedhur nga anijet sepse është ndotje e madhe që ka prekur të gjithë bregdetin e Shëngjinit. Kjo ndotje është shqetësuese dhe në aspektin visual,”- thotë përgjegjësi i sektorit të Mjedisit dhe Ujërave IKMT Lezhë.

Megjithatë ky është një dyshim, pasi nuk përjashtohet mundësia që pluhuri i verdhë të jetë shkaktuar edhe nga polenet e pishave pranë bregdetit. Analizat do të japin versionin final, për të mësuar edhe ndikimin që mund të ketë pluhuri në momentin që bie në kontakt me lëkurën.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll