Politike

Zgjedhjet për kreun e PD/ Voton Berisha dhe Ibsen Elezi, 'thumbon' Lulzim Basha

Që në orën 08:00 të mëngjesit, të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kanë të drejtë që të shkojnë pranë kutive të votimit, ndërkohë që procesi do të vazhdojë deri në orën 18:00.

22 Maj 2022, 07:47 Nga DOSJA
Zgjedhjet për kreun e PD/ Voton Berisha dhe Ibsen Elezi,
Sali Berisha, Ibsen Elezi dhe pamje nga procesi i votimit

TIRANË- Në më shumë se 108 Qendra Votimi, demokratët do të hedhin votën për të zgjedhur sot kreun e ri të Partisë Demokratike. Që në orën 08:00 të mëngjesit, të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kanë të drejtë që të shkojnë pranë kutive të votimit, ndërkohë që procesi do të vazhdojë deri në orën 18:00. Ndërkohë që njëri pas tjetrit, në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, votuan ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kreu i PD-së Kukës, Ibsen Elezi. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Sali Berisha mbërriti rreth orës 10:30 në selinë blu për të votuar dhe më pas foli para mediave duke e cilësuar proces historik. Por nuk harroi që të dërgonte një mesazh edhe një vendim të mundshëm që mund të marrë Gjykata e Tiranës kundër tij. Sipas ish-kryeministrit, ai sot shihet drita e shpresës për të ardhmen, duke shtuar se nuk ka asgjë që e ndal këtë mision historik. Ndërkohë që Ibsen Elezi tha se do të pranonte vendimin e demokratëve, edhe nëse nuk e zgjidhnin në krye të PD-së, por shtoi se nëse ka parregullsi do t’i raportonte dhe nuk do t’i toleronte. Por edhe Lulzim Basha, edhe se jo më zë e figurë, ka dhënë një “mesazh të koduar”. Ai ka kujtuar sot revoltën e Spaçit, duke u shprehur se demokratët duhet që të shohin nga e ardhmja, e jo të jenë pre e të shkuarës. Duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha. Sa i përket deputetëve të tjerë, deri më tani asnjë prej tyre nuk ka reaguar. 

Njoftimi nga PD:

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se ditën e diel, datë 22 maj 2022, do të zhvillohen zgjedhjet për Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Proçesi i votimit do të nisë në orën 8.00 e do të mbyllet në orën 18.00. Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.  Kandidatët për Kryetar sipas renditjes në fletën e votimit janë: Sali Berisha dhe Ibsen Elezi...

Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat për shpërndarjen e bazës materiale, dhe siç është bërë e udhës në proceset e drejtuara prej tyre, kohë pas kohe do të bëjnë me dije dhe të dhëna për pjesëmarrjen në votime. 

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD do të votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të PDSH me parimin “një anëtar një votë”.

(k.m/d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll