Aktualitet

Endej prej 51 ditësh në malin Olimp, gjendet 41-vjeçari shqiptar në Greqi, shoku: Ishte në depresion

20 Maj 2022, 12:23 Nga DOSJA
Endej prej 51 ditësh në malin Olimp, gjendet 41-vjeçari
Panajot Kaleshi

GREQI- Është gjendur pas 51 ditësh 41-vjeçari shqiptar Panajot Kaleshi, i cili rezultonte i zhdukur në mënyrë të mistershe që më 31 mars në Greqi.

Sipas Protothemës, 41-vjeçari është paraqitur vetë pranë autoritetit portual, duke i dhënë kështu një fund të lumtur aventurës së tij të nisur ditën e enjte, më 31 mars, kur ai u largua nga Larisa për në Athinë bashkë me të ëmën ku do shkonte te një familjar i tij për të punuar.

41-vjeçari është dërguar mbrëmë në spitalin e Katerinës në gjendje të rëndë psikologjike, ku sipas shokut të tij të ngushtë Flamur gjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë duke u endur në malin Olimp.

Dje fola me vëllain e tij dhe e di që në këtë kohë Panajoti po trajtohet në spitalin e Katerinës, i rraskapitur në gjendje të keqe. Gjithçka që dëshiroj dhe dua është që shoku im të jetë mirë. Siç mësova ai ka humbur shumë peshë dhe këmbët nuk e mbajnë. Po flasim për një njeri të ri, të gjatë dhe të ngjirur, pas një muaji do të bëhet baba i fëmijës së tij të parë”.-thotë Flamuri.

Ndoshta 41-vjeçari nuk mund t'i zbulonte familjes arsyet që e çuan në këtë vendim, megjithatë, siç shprehet miku i tij, vitet e fundit ai nuk ishte aq mirë psikologjikisht, por askush nuk e priste që të zhdukej.

"E vërteta është se tani kohët e fundit nuk ishte mirë, kishte ndryshuar si njeri, nuk ishte mirë, por nuk e prisnim të arrinte në këtë pikë. Dukej sikur kishte hequr dorë nga gjithçka, po jetonte në botën e tij. Unë kam 20 vite afër tij, jemi rritur bashkë, kemi punuar bashkë, kam parë ndryshimet në sjelljen e tij dhe i kam thënë të ketë kujdes. Dukej sikur diçka ndryshoi papritur brenda tij, në mendjen e tij dhe vendosi të largohej. Ai la pas familjen e tij, gruaja e tij shtatzënë, pa para, pa letra, asgjë. Ai ishte zhdukur gjithsej 50 ditë, nuk kishte as celular me vete. Pavarësisht se sa shumë e kërkonim të gjithë, kishim humbur çdo shpresë, por Zoti pati mëshirë për të. Do të shkoj ta shoh në rastin e parë dhe uroj që mjekët të bëjnë më të mirën për të”.-shtoi shoku i tij.

Gjithçka ndodhi mëngjesin e së enjtes, më 31 mars, kur Panajoti kishte shkuar me nënën e tij në Platamonas, Pieria, për të marrë disa mobilje për t'i çuar në shtëpinë e tyre në Larisa. Në një moment ai u largua për të shkuar në një kioskë lokale dhe që atëherë nuk u kthye më.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll