Aktualitet

Çapajt i ofruan 200 mijë euro Dumanit për të vrarë dhëndrin e Qazim Sejdinit: Ka lidhje me Suel Çelën

Henrik Hoxhaj tregon se Sokoli nuk lëvizte kurrë vetëm, pasi me vete kishte gjithmonë një person të armatosur që i mbronte “krahët”.

20 Maj 2022, 11:32 Nga DOSJA
Çapajt i ofruan 200 mijë euro Dumanit për të vrarë
Sokol Sanxhaktari, Nuredin Dumani dhe Suel Çela

TIRANË- Nuredin Dumani ka pasur në ngarkim vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Në rrëfimin e tij në SPAK si i penduari i drejtësisë, Dumani tregon se Florenc Çapja, i kishte premtuar 200 mijë euro për eliminimin e Sanxhaktarit. E donte të vrarë pasi dyshonte se kishte lidhje me Suel Çelën. Por bashkë me Dumanin, për këtë ngjarje është rrëfyer edhe Henrik Hoxhaj, ndërsa të përfshirë kanë qenë edhe Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri.

"13.1 Lidhur me këtë fakt janë marrë deklarimet e shtetasit Nuredin Dumani i cili ka shpjeguar se i është kërkuar nga shtetasit Florenc Çapja, Vis Korçari, Bledar Muça dhe Eljo Bitri, që të godiste shtetasin Sokol Sanxhaktari për një shumë prej 200,000 euro, pasi ai ishte lidhje e Suel Çelës."-thuhet në dosje.

Në rrëfimin e tij, Henrik Hoxhaj tregoi se porosia për Sanxhaktarin ishte marrë ‘porosia’ para se të ndodhte vrasja e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, që u eliminuan në vitin 2020. Ai tregon se Sokoli nuk lëvizte kurrë vetëm, pasi me vete kishte gjithmonë një person të armatosur që i mbronte “krahët”.

“E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin,”-tregon ai. Megjithatë vrasja nuk ndodhi, për arsye që nuk bëhen me dije as nga Dumani dhe as nga Hoxhaj.

Ndoshta sepse Sanxhaktari përfundoi në burg për shkak të ngjarjes së ndodhur më 30 korrik 2020, ku vrau në lokal shokun e tij të fëmijërisë, Florian Lamçja. Për vrasjen, Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 18 vite burg Sokol Sanxhaktarin dhe Ardiano Hajdarin, të akuzuar për vrasjen e shokut të tyure Florian Lamçja në një lokal në Elbasan në 30 korrik 2020. Ndërkohë me 5 vite burg janë dënuar Amadeus Lamçja dhe Mehmet Muça, të akuzuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll