Aktualitet

DOSJA- I shkuan në Kosovë/ Ervis Martinaj gati të paguante 500 mijë euro për vrasjen e Dokles

Njëri ishte një djalë që e identifikoi me emrin “Eli”, tjetri ishte vëllai i Besian Xhixhës. Dosja.al ka nxjerrë nga dosja e SPAK, se të dy kanë kaluar me një mjet tip Hummer në Kosovë, e Dumani tregon se teksa negocionin Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar edhe vetë me “porositësin”.

20 Maj 2022, 11:47 Nga DOSJA

 

 

DOSJA- I shkuan në Kosovë/ Ervis Martinaj gati të paguante 500
Nuredin Dumani, Endrit Dokle dhe Ervis Martinaj

 

TIRANË- Një zarf i bardhë mbërriti në dorën e Nuredin Dumanit. Ervis Martinaj i la “dorë të lirë” që të kërkonte sa të donte për të kryer ekzekutimin e Endrit Dokles. Dumani tregon në rrëfimin e tij në SPAK se me persona të afërt me Martinajn i kanë shkuar në Kosovë për të dërguar djalë. Njëri ishte një djalë që e identifikoi me emrin “Eli”, tjetri ishte vëllai i Besian Xhixhës. Dosja.al ka nxjerrë nga dosja e SPAK, se të dy kanë kaluar me një mjet tip Hummer në Kosovë, e Dumani tregon se teksa negocionin Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit ka komunikuar edhe vetë me “porositësin”. Për “kokën” e Endrit Dokles, kanë rënë dakord për shumën e 500 mijë eurove, por Dumani ka marrë fillimisht 100 mijë. Të tjerat më pas, pasi të kryente porosinë. Dumani thotë: I mora paratë, por nuk doja ta vrisja Doklen. Doja të nisja konflikt me Ervis Martinajn.

Këtu hyn “në lojë” edhe Henrik Hoxhaj: Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Indrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500.000 Euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin.

Por pse e donte Ervis Martinaj vrasjen e Endrit Dokles, një prej anëtarëve të bandës së Durrësit?

Gazetari Artan Hoxha ka treguar motivin se Dokle bashkëjeton me vajzën e Xhemal Reçit, ish-efektivit që u vra në Laç. Gjithashtu, Dokle është kunati i Besnik Reçit, të riut që iu bë atentat në Shëngjin, por u shpëtoi plumbave. Sipas gazetarit, frika nga hakmarrja ka bërë që Martinaj të urdhërojë vrasjen e numrit 'dy' të ish-bandës së Durrësit. 

"Dy njerëz i kanë shkuar në Kosovë dhe i kanë thënë që të marrë përsipër vrasjen e Endrit Dokles. Është kunati i një atentati tjetër, atij që e ndoqën me motor në Shëngjin, Besnik Reçi. Është bashkëjetuesi i Xhemal Reçit. Ervis Martinaj e shikonte si kërcënim sepse Dokle mund të hakmerrej për vrasjen e vjehrrit dhe sulmin ndaj kunati,"- tha Hoxha.

Por këto të dhëna nuk bëhen me dije nga asnjë prej të penduarve të drejtësisë, e për rrjedhojë nuk pasqyrohen në dosjen e plotë të SPAK.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll