Politike

VD-Zgjedhja e Presidentit, Bylykbashi: Alibeaj ka marrë përsipër t’i sigurojë Ramës votat

Sipas Bylykbashit, me anë të asaj marrëveshje, Rama kërkon që të zgjedhë kandidatin e preferuar të cilin do ia sigurojë Alibeaj me 84 vota.

19 Maj 2022, 11:03 Nga DOSJA
VD-Zgjedhja e Presidentit, Bylykbashi: Alibeaj ka marrë përsipër
Oerd Bylykbashi

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e quan marrëveshjen mes Enkelejd Alibeajt dhe mazhorancës për zgjedhjen e presidentit, si favor për Ramën. Sipas Bylykbashit, me anë të asaj marrëveshje, Rama kërkon që të zgjedhë kandidatin e preferuar të cilin do ia sigurojë Alibeaj me 84 vota.

 'Me 18 maj 2017, Basha i fali Ramës zgjedhjet duke pranuar që të mos përdorej koalicioni. Rama ia kërkoi heqjen e koalicionit që ta lejonte Bashën të dilte nga çadra e të hynte në zgjedhje dhe Basha e pranoi marrëveshjen. Dje më 18 maj 2022, pesë vite më pas, u shpall një marrëveshje e re. Taulant Balla i dha të drejtën deputetit Alibeaj që të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë.Me këtë akt Rama kërkon që kandidatin e tij te preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual.Me marrëveshjen e djeshme Alibeaj ka marrë përsipër t’ia sigurojë këtë. Alibeaj pranon që Partia Socialiste të caktojë edhe opozitën, por edhe sa herë ka të drejtë opozita të propozojë kandidatë për president. Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës dhe pa asnjë tagër ka thirrur deputetët e Partisë Demokratike që të legalizojë marrëveshjen e tj personale me Ballën, marreveshje që i siguron Edi Ramës një president kukull me veshje konsensualiteti kallp.Deputetët e Partisë Demokratike janë të ndërgjegjshëm që përfaqsojnë vullnetet e demokratëve të shprehura nga organet e tyre më të larta përfaqsuese dhe jo vullnete dhe pazare personale.Opozita nuk ka nevojë marrëveshje për të propozuar kandidatë sepse kjo e drejtë është në Kushtetutë. Partia Demokratike e ka përcaktuar qëndrimin e saj të qartë dhe konstruktiv me rezolutë të Këshillit Kombëtar. Partia demokratike e denoncon këtë marrëveshje të pavlerë si një akt që synon të krijojë një opozitë marionetë dhe t’i dorëzojë presidentin Edi Ramës.Presidenti i shqiptarëve duhet të jetë përfaqësuesi real i unitetit të popullit, që vjen nga vullnete përfaqësuese politike bazuar në vote, dhe jo një kukull e një marrëveshje vasaliteti të lidhur në përvjetorin e pestë të një marrëveshjeje famëkeqe.'- tha Bylykbashki.

Ditën e sotme në orën 12:00, në selinë e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar një mbledhje të grupit parlamentar për të diskutuar lidhur me propozimet e opozitës për presidentin e ri të vendit. Edhe pse është shkarkuar nga posti i kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alibeaj ka kërkuar takim me deputetët, për të ndërmarrë kështu aktin e parë të marrëveshjes me Taulant Ballën dje në Konferencën e Kryetarëve.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll