Aktualitet

Banorët e Paskuqanit e Laprakës takim me Ballukun: Kërkojmë dëmshpërblim të drejtë, ndryshe protesta

Në një prononcim për mediat pas takimit, banorët u shprehën se kërkesa e tyre ligjore është që dëmshpërblimet ndaj banorëve të prekur nga projekti i Unazës së Madhe të jenë të unifikuara.

18 Maj 2022, 14:27 Nga DOSJA
Banorët e Paskuqanit e Laprakës takim me Ballukun: Kërkojmë
Foto nga prononcimi për mediat

TIRANË- Banorët e zonës së Paskuqanit dhe Laprakës, sot kanë zhvilluar një takim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ku kanë diskutuar dhe me ministren Belinda Balluku sa i takon shembjes së banesave të tyre në kuadër të Rindërtimit.

Në një prononcim për mediat pas takimit, banorët u shprehën se kërkesa e tyre ligjore është që dëmshpërblimet ndaj banorëve të prekur nga projekti i Unazës së Madhe të jenë të unifikuara. E që të gjitha banesat të legalizohen. Pas takimit, ata paralajmëruan se për momentin do të presin ç’ndryshime do të bëhen në Vendimet e Këshillit të Ministrave, në të kundërt do të ketë protesta masive.

"Të na pajisin me leje legalizimi dhe më pas të vazhdojë puna. Do të kemi një takim tjetër sepse VKM është në diskutim e sipër. Ne po presim VKM, ose do të agrovojmë protestat. Më mirë të mos agravojmë projektet sepse nuk jemi kundër projekteve. E kanë mundësinë për të devijuar rrugën ne Paskuqan por zgjedhin të shkatërrojnë hallexhinjtë. Kërkesa do bëhet me shkrim për propozimet tona. Nuk kemi kërkuar lëmoshë te qeveria, nuk është vetëm ky projekt janë dhe të tjera. Unifikim për dëmshpërblim sepse shqiptarët janë të barabartë. Na vjen keq për disa personalitete të larta që nxjerrin dhe fjalë ofenduese. Do vazhdojmë me kërkesat tona ligjore, se njerëzit mbetën nëpër gjykata. Ça të drejte gjen aty, janë hallakatur në mënyrë të tmerrshme. Maskaralliku vazhdon, nëse mbani mendon gjobën ndaj Loretës 2-3 milionë, Ka shkuar vendimi i prishjes shoqëruar me gjobë dhe IMT ja ka nisur këtë shkresë. Thuajse 11 milionë lëkë, pas 30 vitesh ndërtim pa leje. Patjetër do ankimohet, po paligjshmëria e insittucioneve po ndiqet po nga paligjshmëria. Mirë që të le në qiell të hapur por të fut dhe një gjobë dhe të pret këmbët,"-tha ndër të tjera një prej banorëve para mediave.

Protestat e banorëve kanë nisur prej disa muajsh, por më 19 janar të këtij viti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Asnjë prej tyre nuk ka dalë kundër projekteve, por kërkojnë shpronësimin sipas rregullave, duke marrë parasysh se një pjesë e tyre kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër janë në proces legalizimi në pritje të marrjes se statusit të plotë të pronësisë. Në Laprakë, për shkak të lotit të Unazës do të preken 700 shtëpi banimi, ndërsa tek “5 maji”, 430 të tilla.

(k.m/dosja.al)

 

Sondazh

Poll