Aktualitet

60 kg kokainë/ Vazhdon kontrolli i anijes, polumbarë shkojnë tek motori e helika

Kur po shënohet dita e dytë e kapjes të së paku 60 kilogram kokainë, duket se efektivët e Policisë dhe hetuesit nuk kanë hequr dorë nga kontrolli i plotë i mjetit lundrues.

18 Maj 2022, 12:41 Nga DOSJA
60 kg kokainë/ Vazhdon kontrolli i anijes, polumbarë shkojnë tek
Foto ilustruese

DURRËS- Policia dhe hetuesit janë të bindur se në anijen “Unistream” ka akoma kokainë të fshehur, ndaj sot po kërkohet edhe me polumbarë. Këta të fundit janë zhytur dhe po kërkojnë nëse ka akoma kokainë në pjesën e motorit dhe të helikës, por ende nuk kanë gjetur gjë.

Kur po shënohet dita e dytë e kapjes të së paku 60 kilogram kokainë, duket se efektivët e Policisë dhe hetuesit nuk kanë hequr dorë nga kontrolli i plotë i mjetit lundrues. Ndërkohë që pritet që të kontrollohet me imtësi edhe qymyri brenda në anije. Deri më tani, mësohet se kontrolli ka vijuar me tre turne, e mësohet se janë përpunuar 3 mijë ton qymyr nga 6 mijë e 500 ton gjithsej që ka brenda anija. Kokaina e gjetur brenda, ishte e ndarë në 53 pako, në 2 çanta dhe deri më tani bëhet fjalë për mbi 60 kg.

Droga e kishte vendin e origjinës nga Kolumbia, e autoritetet shqiptare u njoftuan nga DEA amerikane dhe SPAK për të ndërhyrë, por ende nuk dihet se ku do të ishte destinacioni i drogës. Mjeti lundrues kishte dy ditë i ankoruar në portin e Durrësit, ndërsa kapiteni i anijes, i cili është nga Rusia tha se nuk kishte dijeni për mallin në mjetin që drejtonte. Por bashkë me të janë marrë në pyetje edhe ekuipazhi i anijes. Të gjithë kanë pohuar se ngarkesën ua kishin kontrolluar dhe një ditë më parë, por s’kishin gjetur asgjë.

Anija "Unistream" është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi në 26 prill në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj, pra një ditë më parë në orën 08:32. E që prej atij momenti nuk ka lëvizur më nga porti, por nuk dihet nëse ky ishte destinacioni final i saj. Megjithatë kjo nuk është hera e parë që nga vendet e Amerikës Latine vijnë “pako me drogë”. Hera e fundit, nga më shumë se 8 kapje të bëra, ishte vetëm pak javë më parë, më konkretisht në 5 prill ku u gjet 1 kg heroinë. Ndërsa në janar ku u kapën 119 kg kokainë të ngarkuara me kamionët me banane. Por mesa duket tanimë trafikantët kanë gjetur një mënyrë tjetër, duke e fshehur drogën nëpër qymyr, jo në banane.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll