Aktualitet

Prag tragjedia në QSUT/ Skandali vazhdon! Ashensori që u rrëzua s'ishte i regjistruar në ISHMT

ISHMT raporton se rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011.

17 Maj 2022, 12:39 Nga DOSJA
Prag tragjedia në QSUT/ Skandali vazhdon! Ashensori që u rrëzua
Ashensori

TIRANË- Skandali me ashensorin e QSUT vazhdon! Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zbuluar se ashensori, i cili u shkëput ditën e djeshme në Qendrën Spitalore 'Nënë Tereza' nuk ishte i regjistuar. Me anë të një reagimi publik, ISHMT bën të ditur se ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. ISHMT raporton se rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011. Edhe pse firma “Sulollari Klima” ka marrë 24 milionë lekë për të mirëmbajtur për 24 muaj 4 ashensorët e QSUT-së, nuk është munduar që ta certifikojë. Edhe pse duhet që të siguronin jetët e njerëzve.

Këtë fakt e bën të ditur vetë Inspektorati, institucion që ka reaguar një ditë pas aksidentit që po i rrezikon jetën pacientes 80-vjeçare, ndërkohë që bashkë me të u lëndua edhe barrelisti. Por ky i fundit është në gjendje më të mirë shëndetësore se e moshuara. Nga inspektimi që ISHMT ka bërë në ashensorin e rrëzuar rezulton se nga marrja e tenderit në dhjetor 2021 deri më tani, kompania kishte bërë vetëm ekzaminimin fillestar, por nuk e kishte regjistruar.

DEKLARATA:

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në QSUT, ku si pasojë e një problemi në funksionimin e ashensorit janë plagosur dy persona, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj zbatuese, është angazhuar maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes, përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla, të cilat cënojnë sigurinë e qytetarëve. Paraprakisht dëshirojmë të informojmë se, në bazë të inspektimit të kryer nga ISHMT, rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar. Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së. Kontrollet për sigurinë e ashensorëve kanë qenë një ndër prioritetet e veprimtarisë së Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, ku vetëm për vitin 2021 janë kryer 336 inspektime, ndërkohë që numri i ashensorëve të regjistruar pranë ISHMT është 1429. Gjithashtu, ISHMT ka informuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha grupet e interesit mbi detyrimet ligjore që duhet të përmbushen lidhur me sigurinë e ashensorëve. ISHMT iu bën thirrje të gjithë personave përgjegjës të kryejnë procedurën e regjistrimit të ashensorëve pranë këtij institucioni, ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, por edhe ashensorët që janë në përdorim, në mënyrë që të garantohet që ashensorët në përdorim për të tretët apo publikun e gjerë të jetë në përputhje me kërkesat e sigurisë së produktit/instalimit të vënë në shërbim gjatë gjithë periudhës së tij të përdorimit.

Në bazë të ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, personi Përgjegjës për ashensorin ka për detyrë të kontraktojë një organ të miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse është në përputhje me të gjitha rregullat. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së. Detaje që nuk i kanë parë si të arsyeshme ndaj dhe mund të shkaktohej një tragjedi në vendin ku qytetarët shkojnë për t’u shëruar në fakt.

Ashensori në Urgjencën e QSUT pësoi defekt gjatë mbrëmjes të së dielës. Një nga kavot u këput dhe ashensori që ishte në ngjitje, u rrëzua në katin -1, duke bërë që një pjesë e barrelës ku ishte shtrirë pacientja, të përfundojë e varur jashtë ashensorit. Policia vuri në hetim në gjendje të lire, Ermal Brajën, teknikun për mirëmbajtjen e ashensorit dhe administratorin e firmës që ka fituar tenderin, “Sulollari Klima” Ardian Sulollari.  Data e lidhjes së kontratës me afat 24 muaj është 31 dhjetor 2021 me vlerë 2 milionë e 406 mijë e 270 lekë me TVSH. Nga ekstrakti në QKB, kompania “Sulollari Klima” thotë se është e specializuar për kondicionerë e kaldaja, ashensorë etj.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll