Bota

Krimi jashtë kontrollit në El Salvador, 30 mijë anëtarë të bandave kriminale arrestohen në 50 ditë

Fushata e qeverisë kundër bandave filloi pas masakrës së 87 personave brenda dy ditësh në fund të marsit, për të cilën autoritetet fajësojnë këto grupe kriminale.

16 Maj 2022, 19:31 Nga DOSJA
Krimi jashtë kontrollit në El Salvador, 30 mijë anëtarë
Bandat ne El Salvador

EL SALVADOR- Autoritetet e El Salvadorit kanë arrestuar më shumë se 30,000 anëtarë të bandash që kur Presidenti Najib Boukele shpalli një "luftë" në fund të marsit ndaj atyre bandave kriminale të akuzuara për komplot terrori përmes vrasjeve dhe zhvatjes.

Dje, të dielën, 15 maj, u arrestuan 536 terroristë, 50 në ditë pas fillimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Numri i përgjithshëm i arrestimeve që nga fillimi i luftës së bandave është 30,506”, tha policia në llogarinë e saj në Twitter.

Fushata e qeverisë kundër bandave filloi pas masakrës së 87 personave brenda dy ditësh në fund të marsit, për të cilën autoritetet fajësojnë këto grupe kriminale.

Me kërkesë të kreut të shtetit, Parlamenti urdhëroi një regjim emergjence që lejon burgimin pa vendim gjykate dhe ashpërsimin e dënimeve për anëtarët e bandës deri në 45 vjet burg. Ky regjim u zgjat për 30 ditë në fund të muajit prill. Ai gjithashtu kufizon lirinë e tubimit dhe të drejtat e mbrojtjes, zgjat paraburgimin policor dhe lejon përgjimin.

Bandat kriminale, më të dhunshmet prej të cilave janë La Mara Salvatrucha (MS-13) dhe Barrio 18, kanë rreth 70,000 anëtarë, sipas autoriteteve. Tani, duke numëruar arrestimet e fundit, 46,000 prej tyre janë në burg , sipas autoriteteve, një numër i paprecedentë për 30 vjet në këtë vend me 6.5 milionë banorë në Amerikën Qendrore.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë raportuar arrestimin e disa të rinjve që nuk kanë lidhje me bandat. Nënkryetari i Salvadorit, Felich Uloa, mbrojti sulmin e qeverisë ndaj bandave përpara përfaqësuesve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq më 5 maj.

(d.a/dosja.al)

Sondazh

Poll