Sport

E para femër që arbitroi një ndeshje të Kategorisë Superiore, Rusta rrëfen përvojën unike

Emanuela Rusta ka shënuar një tjetër arritje në futbollin shqiptar. Ajo është arbitrja e parë femër që drejton si kryesore një ndeshje të kategorisë Superiore

16 Maj 2022, 17:56 Nga DOSJA
E para femër që arbitroi një ndeshje të Kategorisë
Emanuela Rusta

SHQIPËRI- Emanuela Rusta ka shënuar një tjetër arritje në futbollin shqiptar. Ajo është arbitrja e parë femër që drejton si kryesore një ndeshje të kategorisë Superiore, më konkretisht sfidën Skënderbeu-Laçi të vlefshme për javën e 34-t të kampionatit. Paraqitja e saj ka qenë mjaft pozitive duke u shfaqur në lartësinë e duhur dhe duke marrë vlerësimet më të mira për punën e saj.

Tre vite më parë ajo u bë arbitrja e parë femër nga Shqipëria me stemën e FIFA-s, duke thyer kështu abarrierat dhe duke përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

“Do të tregohesha e pavërtetë nëse nuk do ta pranoja se ishte një eksperiencë fantastike, për të cilën kam punuar gjatë dhe e kam dëshiruar prej kohësh. Kategoria Superiore është një kategori me një nivel tepër të lartë teknik dhe taktik, çka imponon një përgatitje serioze për ta përballuar. Është një nivel i cili të lejon të shprehesh dhe përmirësohesh ndeshje pas ndeshje. Edhe ekipet kishin një qasje profesionale, pa me paragjykuar mbi mundësitë e mia për ta përballuar ndeshjen. Loja e zhvilluar ishte fair-play e në këtë kuptim ekipet ma bënë më të lehtë.”

Rusta flet edhe për objektivat në të ardhmen, ndërsa ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat që duan të bëhen pjesë e arbitrimit në futbolli.

“Ka mjaft raste frymëzuese në kampionatet e huaja, të cilat kanë arbitruar edhe finale të Champions League. Nga ana e saj, Shoqata e Arbitrave gjithnjë ka pasur në fokus të saj promovimin e femrave, ndaj kjo nuk është as rastësi dhe as fundi i procesit.

Shpresoj se nuk do të jetë e largët dita kur të jemi katër femra që gjykojmë një ndeshje të Kategorisë Superiore. Do t’i ftoja vajzat e tjera të mos hezitojnë. Ta vlerësojnë si mundësi për të zhvilluar një karrierë ndryshe nga sa mund të jetë diçka më e zakonshme. Megjithëse, në dukje është një ambient kryesisht mashkullor, ndihem e respektuar dhe e vlerësuar për punën që bëj në fushë.”

E.Ç (Dosja.al)

37100 14067

Sondazh

Poll