Aktualitet

Parku i Butrintit me koncesion/ Qytetarët protestojnë: Po e zvogëlojnë, është ndër 10 më të mirët në botë

Qytetarët kanë deklaruar se parku nuk po mbahet më për ruajtjen e kulturës por për të bërë biznese.

13 Maj 2022, 20:32 Nga DOSJA
Parku i Butrintit me koncesion/ Qytetarët protestojnë: Po e
Pamje nga protesta

SARANDË- Parku i Butrintit është një nga çështjet më të 'nxehta' në vend momentalisht. Kjo për shkak të vendimit të qeverisë për ta dhënë me koncesion. Pikërisht për këtë qytetarë dhe ekspertë kanë dalë të protestojnë ditën e sotme në Butrint. Qytetarët kanë deklaruar se parku nuk po mbahet më për ruajtjen e kulturës por për të bërë biznese. Ata gjithashtu kanë deklaruar se parku duhej të ishte në zgjerim, por sipas tyre po ndodh e kundërta. 

“Edhe një pensionist duhet të paguajë 5 mijë lekë për të parë parkun. Nuk mbahet për ruajtjen e kulturës. Morën pjesë shumë specialist, e keqja është se gjithë ky studim nuk shkon në buxhetin e shteti, por tek ata që e gjetën të gatshëm, edhe udhëheqësit që e dhanë këtë park. Në zonën më të largët , futet Ksamili dhe këto zona që janë studiuar që parku të kishte zgjerimi. Privatët e ngushtuan dhe nuk dimë se cfarë ndodh. Dalin monumente nga më të mirat”, tha një prej protestuesve.

Në protestë kanë marrë pjesë dhe ekspertë. Një ndër ta ka qenë edhe Kristo Kauri, i cili është shprehur se Parku i Butrintit është zgjedhur për tu dhënë me koncesion, pasi është siti arkeologjik më i vizituar në vend.

“Unë vij sot në këtë protestë jo si anëtar i PS, por si qytetar, si ekspert që më dhëmb shpirti për këtë vlerë, park që është ndër 5 më të mirët e Europës dhe në 10 parqet më të mira të botës. E kam nisur punën këtu që në 1970. Në këtë mjedis, e kanë sjell specialistët me përkushtim, pasion. Është një park me vlera me jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare, arkeologjike dhe natyrore, ka marrë statusin pasuri e Unesco-s. Do të doja të ishin shumë qytetarë”, tha Kauri.

Përpos debateve, ka mbërritur në Kuvend projektligji për marrëveshjen e menaxhimit të Parkut të Butrintit. Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan (AADF) themeluan Fondacionin për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, një akord që ka afat 10-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi.Fondacionit i kalon e drejta e shfrytëzimit dhe përdorimit, por jo pronësia. Në projektligj shkruhet se fondacioni detyrohet të respektojë klasifikimin si pasuri kulturore, por mund të kryejë ndërhyrje ruajtëse dhe mbrojtëse. Ndërsa tarifat për hyrjen e publikut do jetë nga 7 deri në 11 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes.

(I.A/dosja.al)

Sondazh

Poll