Politike

Statuti i PD, Gjykata vendos në 15 shkurt për ndryshimet e propozuara nga Basha

18 Janar 2022, 11:05 Nga DOSJA
Statuti i PD, Gjykata vendos në 15 shkurt për ndryshimet e propozuara

TIRANË – Gjykata e Tiranës ka caktuar datën për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për ndryshimin e statusit të partisë në Kuvendin e PD të 17 korrikut 2021. Seanca e parë që do shqyrtojë këtë çështje nga gjyqtarja Blerina Muça pritet të zhvillohet më 15 shkurt.

Ndërsa për kërkesën e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike e cila në dhjetor dorëzoi një kërkesë Gjykatës për ndryshimet statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, gjykata nuk ka caktuar ende asnjë datë.

Pritet që në ditët në vijim gjykata të marrë një vendimmarrje dhe të caktojë një datë për ndryshimet statusore të Komisionit të Rithemelimit.

NDRYSHIMET NË STATUTIN E PD TË MIRATUARA MË 17 KORRIK

Kreu i PD, Lulzim Basha propozoi 11 ndryshime, duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Kryedemokrati krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale. Basha nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit. Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit, i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, këtë të martë pritet të depozitojë në gjykatë ndryshimet e bëra në Statutin e Partisë Demokratike. Ndryshimet në Statut ia propozoi Kuvendit të thirrur nga Berisha, 4.935 delegatëve por edhe militantëve të pranishëm, deputeti Oerd Bylykbashi.

Një ndryshim thelbësor i statutit sipas njerëzve të Berishës ka të bëjë me nenin se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit. Pra Berisha kërkon të zhbëjë vendimin e Bashës për ta përjashtuar.

Në dokument thuhet se pas Kuvendit për 4 muajt në vijim do të ketë një Komision të Përkohshëm të Rithemelimit që merr drejtimin e ekzekutiv të PD-së deri në konstituimin përfundimtar të organeve drejtuese.

Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.

Deputeti Bylykbashi tha se futja e referendumit, primaret, por edhe forcimi i organeve kolegjiale janë disa nga pikat e statutit të ri të PD-së. Një tjetër pikë lidhet me sanksionimin në statut të faktit që nëse humbet zgjedhjet pavarësisht arsyes, largohesh.

Vlen të theksohet se me gjithë debatin e ashpër të ditëve të fundit, statutet e partive politike shqiptare, edhe pse të kopjuara nga parti simotra në Perëndim, nuk janë respektuar ndonjëherë nga kryetarët e këtyre forcave.

Kështu më herët në PD, ish-kryeministri Sali Berisha vendosi një rekord të mosmbledhjes së strukturave kolegjiale pavarësisht parashikimeve në statut.

Edhe kryeministri Edi Rama pas zgjedhjeve të humbura në vitin 2009 u justifikua me tjetërsim të rezultatit zgjedhor dhe pas vitit 2013 “harroi” pikën e statutit që fliste për zgjedhje të kryetarit një herë në katër vjet.

Së fundi, kreu i PD-së Lulzim Basha është vendosur në ballë të akuzave nga kundërshtarët e tij politik se për pezullimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk u respektua Statuti i partisë.

(e.h/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

politike politike lulzim basha statuti i pd lulzim basha statuti i pd

Sondazh

Poll