Insights

Radha e Kadaifit…

28 Dhjetor 2021, 11:46 Nga DOSJA
Radha e Kadaifit…

Nga Ilir Gjini

Kadaifi, ëmbëlsira tradicionale që zbukuron tryezat e festave, për brezat e lindur para 90-s, ishte një produkt i rrallë! Kaq i rrallë, sa orë e orë pa fund në radhë qëndronim për të siguruar një pako kadaif. Në qytetin tim të lindjes ishte një profukt “luksi”.

Në një barangë druri ku shiteshin fruta – perime, disa ditë para Vitit të Ri, shitej edhe kadaifi. Bashkëlagjasit e mi e zinin radhën disa ditë para. Radha kalonte si stafetë nga njëri te tjetri. Madje kur kthehesha për në shtëpi në darkë, shikoja siluetat e radhëpritësve që ngrohnin duart rreth një zjarri me shkarpa. Nuk mungonin as grindjet.

-“Pas teje jam unë.

-Jo, është Zequa.

-Po ç’Zeqo more! Zequa iku tja fusë gjumit. Pse radhën e tija do mbaj unë”?

Nuk mundja të kuptoja pse e bënin një sakrificë të tillë. Kur pyeta tim atë, ai ma preu shkurt: “ Kurrë mos u hëngërt. Edhe qumësht dallëndyshe të ishte, nuk ia vlen të gdhihesh në radhë”.

Vite më vonë kur isha nxënës në Liceun Artistik në Tiranë, vendosa të surprizoja prindërit me kadaifin. Shkolla përfundonte në 28 Dhjetor, por ne që ishim nga rrethe të largëta niseshim që në 26. Pikërisht duke u gdhirë 25 Dhjetori u çova që në 4 e gjysëm të mëngjesit për të zënë radhën e kadaifit.

Roja i konviktit të cilin e kisha porositur që në darkë, më shkundi për disa minuta derisa më doli gjumi. Hodha një grusht ujë në sy që të vrisja gjumin dhe vrapova për te Pazari i Ri.

Para një pastiçerie ku zakonisht bleja pasta, ndesha një radhë të gjatë me burra e gra që dukeshin si murgj manastiri.

– Kush është i fundit – pyeta me gjysëm zëri ?

– Unë – mu përgjigj një burrë me një pelerinë mushamaje të hedhur krahëve.

Për të duruar të ftohtin, fillova të bëja ecejakje rreth vargut të gjatë të radhëpritësve.

Burrat rrinin të heshtur duke tymosur cigare partizani pa filter, ndërsa gratë gumëzhinin nga muhabeti.

“ Vajta dhe dje nejta n’radhë, po nuk morra. Me aq arka sa vin, kush me morr i pari”?

Pas rreth një ore pritje, filloi një vesë shi. Burri që kisha para, ngjeshi në kokë kapuçin e mushamasë. Për t’u mbrojtur nga shiu vrapova për te streha e vogël e pastiçerisë. Era po ma përplaste shiun në fytyrë dhe fillova të dridhesha nga i ftohti. Për të vrarë kohën, fillova të numëroja dritat që ndizeshin pas penxhereve në pallatet përreth.

Një burrë trashaluq me sy të gjallë që shkëlqenin si fosfor, rrinte pa teklif në krahun tim dhe nuk e bezdiste hiç i ftohti. Nxirrte nga xhepi i thellë i kapardinës një shishe konjak dhe rrëkëllente me eks.

– Ktheje dhe ti njëherë njomëzak – më tha duke më zgjatur shishen e konjakut.

“Pi pak se të ngroh, se po dridhesh si qeni i Metes – vazhdoi duke qeshur me zhurmë”.

Rrëkëlleva një gllëkë dhe vërtetë më ngrohu.

Papritur, zhurma e një makine rrangallë “Zuk”, na bëri që të viheshim në njësh kolonë si ushtarët. Kur më në fund munda të bëj të miat dy pako me kadaif, më dukej vetja si “hero”. Sikur kisha gjetur “thesarin “.

– Ky po që është kadaif – më tha mamaja. Kadaif Tirane. Fije – fije, jo si kadaifi i ushqimores sonë që duhet edhe ta qërosh  nga mbetjet e makaronave. Tani s’do na dhemb më koka. Kadaifin do ta biesh ti gjithmonë!

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

blog blog ilir gjini ilir gjini

Sondazh

Poll

Insights 26 Dhjetor 2021, 08:07

Pse largohen besimtarët nga kisha?

Ky është një moment historik simbolik: vetëm më pak se gjysma e gjermanëve i përkasin njërës prej dy kishave të mëdha të krishtera. Të ashtuquajturat kisha popu...

Insights 16 Dhjetor 2021, 07:42

SPAK – Drejtësia e re, apo kobure e Kryeministrit?

Nga Ilir GjiniSPAK, ose ajka e “ajkës” së vetinguar të drejtësisë së re, më më fund ka filluar të shfaqet në skenë. Arrestimi i ish ministrit Koka po vetpropoga...