Aktualitet

“Ballkani i Hapur”/ Vuçiç dhe Zaev në Tiranë më 20 dhe 21 dhjetor

16 Dhjetor 2021, 08:44 Nga DOSJA
“Ballkani i Hapur”/ Vuçiç dhe Zaev në Tiranë

TIRANË– Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të jetë në Tiranë në datat 20 dhe 21 dhjetor për takimin e radhës të nismës “Ballkani i Hapur”. Në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Takimi i mëparshëm në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” është mbajtur në fillim të nëntorit në Beograd. Presidenti Vuçiç bëri të ditur se takimi i radhës do të mbahet në Tiranë në gjysmën e dytë të dhjetorit, ku edhe do të nënshkruhej një Memorandum Mirëkuptimi për lejet e punës.

Çfarë është arritur deri tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës. Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Çfarë është nisma “Ballkani i Hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal, por që ka mbetur e tkurrur vetëm mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut lindi më tetor të vitit 2019. Fillimisht e pagëzuar si “Mini Schengen”, nisma ka si qëllim lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve. Por që prej korrikut të këtij vitit, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”. Deri më tani duket se Mali i Zi do të jetë vendi i radhës që pritet t’i bashkohet nismës, pasi sinjalet e para janë dhënë si nga kryeministri, po ashtu edhe nga zëvendësi i tij shqiptar, Dritan Abazoviç. Ndërsa  Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, janë shprehur se nuk do t’i bashkohen nismës. Nga Prishtina, kryeministri Albin Kurti pretendon se bashkëpunimi në rajon është detyrë e Procesit të Berlinit dhe se vendet nuk duhet që të diskutojnë pa pasur praninë e përfaqësive nga Bashkimi Europian.

(a.b)/dosja.al

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

kryesore politike aleksander vucic edi rama open balkan open balkan ne tirane zoan zaev aleksander vucic edi rama open balkan open balkan ne tirane zoan zaev

Sondazh

Poll