Politike

VD-Tryeza me biznesin, Kurti: Hiqen barrierat për punëtorët që vijnë nga Shqipëria

26 Nëntor 2021, 13:39 Nga DOSJA
VD-Tryeza me biznesin, Kurti: Hiqen barrierat për punëtorët

ELBASAN – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti premtoi në tryezën e përbashkët me biznesmenët e Shqipërisë në Elbasan se qeveria e Kosovës do të heqë të gjitha barrierat për punëtorët nga Shqipëria që duan të punojnë në Kosovë. Në tryezën ku ishte dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, Kurti shtoi se duhet të krijohet një komision i përbashkët për heqjen e të gjitha barrierave tarifore mes dy vendeve.

KURTI: Kosova ka një deficit të lartë tregtar dhe jemi fokusuar në hartimin e politikave industriale dhe mbështetjen e targetuar për bizneset. Ekonomia jonë është shumë e ndikuar nga tregtia e jashtme. Shqipëria është vend me një rëndësi të posaçme. Rregullimi i tregtisë së lirë mes dy vendeve tona daton që nga viti 2003 kur u nënshkrua marrëveshja bilaterale e tregtisë së lirë. Nëse i shohim shifrat nga e kaluara vërehet qartë rritja e qarkullimit të 200%. Së pari një meritë të madhe u atribuojmë vetë bizneseve tona. Nuk duhet të kënaqemi me kaq.

Edhe pse Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e CEFTAS, rastet e bllokimit të lëvizjes së lirë të mallrave nuk kanë qenë të pakta. Për të ndihmuar më shumë prodhuesit dhe eksportuesit tanë duhet të mësojmë nga ta. Është koha që dy shtetet tona të bëjmë më shumë se kaq. Duhet të hiqen të gjitha barrierat tarifore duke krijuar një komision të përbashkët ndërqeveritar që do të identifikonte shkaqet e pengesave dhe që do vinte me propozime konkrete. Në të kaluarën ka pasur procedura për punëtorët nga Shqipëria, dhe kjo është për të ardhur keq.

Të gjitha barrierat do hiqen për punëtorët që do vijnë nga Shqipëria dhe nuk do ketë asnjë procedurë shtesë për ata që të punojnë në Kosovë. Së bashku mund të zhvillojmë politika për industritë përpunuese me theks tek ajo e ushqimit. Premisat tona janë premtuese. Mbetet gatishmëria për ta ndihmuar tutje zhvillimin e dy ekonomive tona. Së bashku edhe me të gjithë ju le ta rrisim intensitetin dhe dinamikën.

Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës firmosën sot 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi mes tyre. Kryeministri Rama konfirmoi se e ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë është integrimi në BE. Ndërkohë,  Kurti nënvizoi se duhet që të dy udhëheqësit të “veprojnë si patriotë dhe të flasin si diplomatë”.

LAJMI KRYESOR: Shqipëri-Kosovë në Elbasan/ Rama: Një ditë, bashkohemi! Kurti: Fati ynë në BE!

(d.v/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

politike politike albin kurti edi rama takimi i qeverive shqiperi-kosove albin kurti edi rama takimi i qeverive shqiperi-kosove

Sondazh

Poll