Aktualitet

Dërgohet buxheti në Kuvend! 101 mld lekë deficit, vetëm bonus për pensionistët

26 Tetor 2021, 08:21 Nga DOSJA
Dërgohet buxheti në Kuvend! 101 mld lekë deficit, vetëm

TIRANË– Qeveria ka depozituar në Kuvend projekt-buxhetin për vitin 2022, ku deficiti parashikohet që të jetë 101 miliard lekë. Sipas draftit që është depozituar në Kuvend për t’u diskutuar, fillimisht në Kryesinë e Kuvendit, për t’u kaluar më pas në Komisione, të ardhurat e vendit për vitin që vjen kapin 536 miliard lekë. Por sipas llogaritjeve të bëra do të shpenzohet më shumë sesa do të futet në ‘arkë’, një llogaritje që ka sjellë shifrën e 637 miliard lekëve. Diferenca parashikohet të mbulohet duke marrë borxh brenda dhe jashtë vendit.

Siç edhe u njoftua ‘përciptazi’ pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Kryeministri, parashikohet një rritje pagash për mësuesit me 6% vitin 2022, e po ashtu i njëjti premtim është bërë edhe për bluzat e bardha. Gjithsej shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar që të kapin shumën e 90.6 miliardë lekëve ose 4.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që duke përllogaritur edhe procesin e Rindërtimit, investimet publike për vitin 2022 janë parashikuar me vlerën 119.1 miliardë lekësh.

Ashtu siç edhe u bë me dije, këtë vit nuk ka rritje për pensionet, por vetëm indeksim të barazvlefshëm me inflacionin. Megjithatë është parashikuar marrja e një bonusi në fund të vitit për të gjithë moshën e tretë. 3.5 miliardë lekë janë vënë në dispozicion për të ashtuquajturin “gjelin e detit”.

Në lidhje me bonusin e bebeve janë parashikuar 2.2 miliard lekë, ndërsa për të përndjekurit  është parashikuar një fond prej 1 miliard lekësh, e pronarët do të ketë një fond prej 5 miliard lekësh.

Në buxhetin, ku parashikohet një rritje ekonomike prej 4.1 për qind, do të rriten fondet edhe për Bujqësinë dhe Infrastrukturën. Ndërkohë që Ministria e Financave ka parashikuar një rritje të buxhetit për Presidencën në 2022. Nga 105.3 milion lekë që mori në 2021, Presidenca do të marrë një fond prej 106 milion lekësh. Kuvendi do të marrë thuajse të njëjtin fond prej 546 milion lekësh, ndërkohë që për Kryeministrinë është shtrënguar “rripi”. Gjatë 2021, Kryeministria mori 258 milion lekë, shifër që është tkurrur rreth 240 milion lekësh. Ndërkohë që buxheti i SHISH dhe Ministrisë së Mbrojtjes nuk ndryshon.

Sapo të vendoset data në Konferencën e sotme të Kryetarëve, drafti do të kalojë nëpër Komisione për t’u diskutuar, më pas do të duhet të marrë “votëbesim” nga Kuvendit. Në fund, do të ketë dhe një tjetër provë; aprovimin edhe nga presidenti.

(k.m/a.b/dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

kryesore politike projektligji per buxhetin e shteti qeveria shqiptare projektligji per buxhetin e shteti qeveria shqiptare

Sondazh

Poll