Aktualitet

Skadon marrëveshja me qeverinë, naftëtarët në Ballsh mblidhen pranë uzinës: Duam zgjidhje, ende presim!

1 Tetor 2021, 09:19 Nga DOSJA
Skadon marrëveshja me qeverinë, naftëtarët në Ballsh

BALLSH– Data 1 tetor shënon edhe përfundimin e marrëveshjes së lidhur me naftëtarëve të uzinës së Ballshit me qeverinë e kryeministrit Edi Rama! Me përfundimin e marrëveshjes me qeverinë, duket me mjetet e tonazhit të rëndë të kompanisë “Armo” janë afruar për të marrë makineritë e përpunimit të lëndës së parë. Por sipas punonjësve, kur i kanë pikasur janë larguar, duke qëndruar në gatishmëri në një vend tjetër, por pranë rafinerisë. Aksioni i nisur mëngjesin e sotëm, ka bërë që naftëtarët të mblidhen  sërish para ambienteve të uzinës, të paqartë lidhur me fatin e tyre. Megjithatë këmbëngulin se nuk bëhet fjalë për protestë por për gatishmëri ndaj marrjes së makinerive.

Kreu i sindikatës, Sokol Dautaj tha se ende nuk kishin asnjë njoftim lidhur me çështjen nga kryeministri Edi Rama, duke shtuar se ishin ende në pritje pasi në deklaratën e fundit, numri një i qeverisë u shpreh se nuk kishte ende një vendim përfundimtar. Në fjalën e tij për mediat e pranishme, Dautaj tha se nuk kishte gjasa për të dalë sërish në protestë, pasi urat e kontaktit ishin të krijuara me qeverinë.

Vetëm pak ditë më parë në një intervistë për emisionin “Open”, kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se ende nuk kishte një zgjidhje për uzinën, pasi sipas tij dy investitorë që kishin ardhur për vlerësime, e kishin parë pa përfitim investimin në këtë rafineri të përpunimit të naftës. 

“Po merremi, çështja është që dy investitorë shumë seriozë që kemi sjellë për të vlerësuar e kanë parë shumë të paefektshme. Pa interes financiar koston e investimit në raport me përfitimin. Jemi akoma në përpjekje. A ka mundësi që të ngelen pa u paguar? Nuk do të ngelen në rrugë pa marrë një vendim përfundimtar. Vendimin përfundimtar nuk e kemi akoma, qoftë në rastin kur do të ketë një investitor që do të marrë përsipër koston shumë të lartë të investimit. Qoftë në rastin kur do të shkojmë për një zgjidhje radikale, që do të thotë çmontimi i saj. Janë dy variante që nuk i kemi në…kushtet kur mund të themi ky apo ai,”-tha Rama.

Mirëpo si nisi protesta e naftëtarëve, e si doli Rama garant për rrogat e tyre?

Naftëtarët e uzinës në Ballsh protestonin vjet për muaj me radhë për pagat e pamarra, edhe pse kishin punuar në kohë pandemie, kur gjithçka ishte e mbyllur dhe në “shtetrrethim”. Duke parë se nga protestat e tyre nuk pati asnjë reagim ata vendosën që të futeshin në grevë urie në ambientet e Rafinerisë. Burrat qëndruan 22 ditë, ndërsa gratë 23, derisa pranuan ofertën e bërë nga kryeministri Edi Rama. Qeveria u ofroi atyre 40 mijë lekë të reja rrogë për një periudhë 1-vjeçare. Po ashtu, iu paguan edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020-tetor 2021. Porn ë vendimin e qeverisë thuhej qartë se nëse pas kësaj periudhe nëse në rafineri nuk afrohej asnjë investim, atëherë naftëtarët nuk do të merrnin më mbështetje nga shteti.

(k.m/dosja.al)

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet ballsh protesta e naftetareve rafineria e ballshit ballsh protesta e naftetareve rafineria e ballshit

Sondazh

Poll