Aktualitet

Vrasja e nënkomisarit nga 21-vjeçari/ MESAZHI i Dom Gjergj Metës: Të rinjtë janë thesar, nëse i braktisim kthehen në lë

30 Shtator 2021, 10:01 Nga DOSJA
Vrasja e nënkomisarit nga 21-vjeçari/ MESAZHI i Dom Gjergj

TIRANË– Ipeshkëvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka ndarë një mesazh pas ngjarjeve të bujshme që ndodhën në qytetin e Lezhës dy ditët e fundit. Pas vrasjes së nënkomisarit të Lezhës, Saimir Hoxhës nga 21-vjeçari Aldi Rama, e më pas vdekjen e këtij të fundit, Ipeshkëvi ka ndarë një mesazh që lidhet me edukimin dhe trajtimin e të rinjve në Shqipëri. Ai shkruan se të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë janë thesar mirëpo nëse braktisen, nga qeveria, familja, shoqëria kanë rrezik që të kthehen në lëndë shpërthyese. Mungesa e politikave të arsimit, të hapësirave dhe nismave për formim janë disa nga shkaqet që çojnë të rinjtë drejt botës së krimit, thekson Ipeshkvi.

Dom Gjergj Meta ndan përvojën e tij me të rinjtë e me policët të cilët ka biseduar në qytet. Ai thotë se ata mbijetojnë edhe pse në një gjendje të mjerueshme, por ajo që i bën bashkë në mbrëmje sipas Ipeshkvit është mospasja e një perspektive të qëndrueshme dhe reale.

SHKRIMI:

Rritja e kriminalitetit në vitet e fundit, sidomos ajo e trafikut të lëndëve narkotike, kultivimit të tyre, veçanërisht në zonat e thella të vendit, ka vënë në rrezik shumë ekuilibra socialë dhe ekonomikë. Dy ndër kategoritë që po ndjejnë peshën e madhe të kësaj batërdie janë të rinjtë e familjeve të varfëra dhe me probleme si dhe policët e thjeshtë të terrenit. Ndërsa kategoritë më të paprekura janë kryet e trafikut e të kultivimit dhe mbrojtësit e tyre me pushtet.

Kam pasur raste të flas si me të rinjtë e po ashtu me policët. Janë të dyja kategori në thelb të varfëra që mbijetojnë me logjikën e ushtarit, pavarësisht se njëra palë në anën e antiligjit e tjetra në anën e ligjit. Por ajo çka i bashkon në mbrëmje është varfëria dhe mospasja e një perspektive të qëndrueshme dhe reale. Ngjarja e ndodhur dje në Lezhë, e të tjera që i kemi parë e dëgjuar me bollëk, megjithëse në mes të një kaosi informativ të pashoq, e tregon më së miri këtë përplasje që ndodh në bazë, në basifondet e shoqërisë shqiptare e cila është aq e vogël sa njihemi të gjithë me njëri-tjetrin.

Mungesa e politikave të punësimit, sidomos për të rinjtë, në veçanti të zonave periferike; një sistem arsimor gjithnjë e më problematik, sidomos në këto vitet e fundit që po rëndohet me pandeminë; paqartësia e të ardhmes evropiane të vendit; mungesa e hapësirave dhe nismave për formimin dhe pro-ligjshmërinë nga shoqëria civile si edhe qershia mbi tortë e korrupsionit, janë vetëm disa nga shkaqet që shumë të rinj shkojnë drejt e në duart e krerëve të krimit ose braktisin vendin. E situata nuk po shkon drejt përmirësimit.

Nuk është e lehtë unë e di këtë. Aspak e lehtë. Ne jemi shqiptarë e në historinë tonë kemi shtresa e nënshtresa problematike të akumuluara me dhjetra e qindra vite. Të gdhendësh në granitin e këtyre shtresave rrezikon shumë, ose të mos bësh asgjë, ose ta shkërrmoqësh krejt. E për këtë arsye duhet art, durim, këmbëngulje në një shoqëri të frustruar e plot probleme, por ende plot me energji.

Të rinjtë e të rejat që kemi janë një thesar plot energji, por nëse i braktisim mund të kthehen në lëndë shpërthyese dhe dëmtojnë shoqërinë, përveçse veten e tyre. Ata meritojnë vëmendje. Po ashtu punonjësit tanë të policisë janë njerëz të jetës së përditshme si të gjithë ne, me një mision dhe një detyrë. Nuk është aspak e lehtë as për ta. Prandaj përveçse të kemi besim, duhet t’i mbështesim si shoqëri.

(a.b)/dosja.al

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

aktualitet aktualitet dom gjergj meta vdes aldi rama dom gjergj meta vdes aldi rama

Sondazh

Poll