Politike

Rama letër publike Bashës për dialog, kryedemokrati: Nuk pranojmë teatër, asnjë hap pas!

22 Maj 2019, 15:11 Nga DOSJA
Rama letër publike Bashës për dialog, kryedemokrati: Nuk

TIRANË– Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër publike kryedemokratit Lulzim Basha, ku i bën thirrje për dialog për zgjidhjen e krizës politike.

Në letrën, e publikuar nga kryeministri në faqen e tij në rrjetet sociale, Rama thotë se dialogu që i ofron Bashës është pa kushte, dhe pret që të ulet sa më herët në një tryezë e cila do e nxirrte vendin nga kriza.

Ndër rreshta kryeministri thotë se data e zgjedhjeve nuk shtyhet dot ligjërisht, por e lë të hapur mundësinë për t’a diskutuar në tryezën e dialogut. Është kjo lëvizje e Ramës, që lë të kuptohet se kryeministri e jep mundësinë edhe që zgjedhjet e 30 qershorit të shtyhen.

Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.”-shkruan Rama.

Nga Durrësi, gjatë një takimi me qytetarët kreu i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar ftesën duke u shprehur se nuk do të bënte asnjë hap pas dhe se nuk do të luante teatër në kurriz të interesave të shqiptarëve.

 “Ne nuk luajmë me portat e vogla të krimit dhe të oligarkëve, siç luan i babëzitur nga mëngjesi deri në darkë Edi Rama. Nuk e njohim dhe nuk e pranojmë atë lojë. Ne nuk pranojmë teatër me interesat e shqiptarëve. Ne jemi ngritur mbi interesat tona të ngushta politike. Në kundërshtim me Kushtetutën, na propozon të ulim kokën. Na propozon kapitullim, kësaj radhe edhe pa garë. Vetëm për karrgien dhe pushtetin e tij,”-tha Basha.

LETRA E PLOTË:

LETER PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

Ju drejtohem me këtë letër publike, në përpjekjen për t’i thirrur arsyes Suaj dhe për t’iu kthyer të vetmes rrugë që demokracia njeh, për trajtimin e mosmarrëveshjeve mes palëve: Dialogut!

Unë sigurisht, s’kam asnjë mirëkuptim për rrugën e zgjedhur prej Jush, qyshse braktisët marrëveshjen pozitive të 17 majit 2017 dhe vendosët ta nxirrnit grupimin Tuaj, plotësisht jashtë shinave të shtruara në atë marrëveshje.

S’kam se si ta mirëkuptoj as gjuhën e urrejtjes, as djegien e mandateve, as dhunën e frymëzuar e organizuar prej Jush, prej së cilës nuk jeni distancuar asnjëherë; për të cilën jeni akuzuar botërisht, me emër e me mbiemër, nga partnerët e miqtë e pazëvendësueshëm të Shqipërisë dhe si pasojë e së cilës sot, një numër jo i vogël ndjekësish Tuajt gjenden në duart e drejtësisë.

S’kam si të mirëkuptoj kurrësesi, as bojkotin e paprecendentë të zgjedhjeve dhe lëre pastaj, shantazhin mbi vendin e mbi qytetarët e këtij vendi, se Ju nuk do t’i lini ata të votojnë në 30 qershor.

Por mungesa e plotë e mundësive të mia për të mirëkuptuar gjithë sa më lart, nuk më pengon, përkundrazi, më detyron t’Ju drejtoj publikisht, këtë herë me shkrim, ftesën për t’u ulur pa humbur kohë në Tryezën e Dialogut.

Dialogun s’mund ta pengojnë assesi, qoftë pozicioni Juaj ekstrem në lidhje me zgjedhjet vendore, qoftë pamundësia ime ekstreme në lidhje me datën kushtetuese të zgjedhjeve.

Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen.

Por Dialogu duhet të nisë pa humbur kohë, pavarësisht atyre që thoni e mendoni të bëni Ju në 30 qershor dhe pavarësisht faktit se unë 30 qershorin s’kam asnjë fuqi ligjore ta negocioj, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut.

Unë Ju ftoj në një dialog pa kushte dhe në kushtet kur Shqipëria e shqiptarët, nuk meritojnë përkeqësimin e një situate politike krejt të pakuptimtë, e cila po u kushton në mënyrë krejt të pamerituar.

Shumica dërrmuese e tyre, përfshirë edhe shumicën e atyre që si zgjedhës të pakicës, s’kanë votuar e s’kanë ndërmend të votojnë ndonjëherë për mua dhe qeverinë që drejtoj, duan dialog mes nesh, e jo acarim mes shqiptarëve dhe dëmtim të Shqipërisë, për shkakun tonë.

Aq më pak duan çka Ju po u ofroni sot, në një rrugë ku, të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim, po ku edhe ata vetë janë të humbur dhe ku askush nuk del i fituar.

Me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh dhe me urimin, që përveç fjalive propagandistike, të marr mbrapsht edhe përgjigjen pozitive për këtë ftesë, Ju lutem zoti Kryetar të pranoni shprehjen e dëshirës sime për shëndet të patrazuar për Ju personalisht dhe familjen Tuaj.

Edi Rama

Ftesa e Kryeministrit Edi Rama për dialog vjen 3 muaj pasi opozita ka djegur mandatet dhe ka zhvilluar 5 protesta kombëtare. Opozita kërkon shtyrjen e datës së zgjedhjeve, krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore.

Deri më sot, qendrimi i kryeministrit ka qenë i palëkundur, se data e zgjedhjeve nuk shtyhej. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar nuk mbështet vendimin e opozitës për të dalë nga Parlamenti, por bën thirrje për dialog.

(F.g/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike dialogu opozite-qeveri edi rama kriza politike lulzim basha dialogu opozite-qeveri edi rama kriza politike lulzim basha

Sondazh

Poll