Aktualitet

KLSH në kolaps, pas Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, “bie” gardiani i parave publike

21 Maj 2019, 13:57 Nga DOSJA
KLSH në kolaps, pas Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së

TIRANE- Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, institucioni më i lartë i ontrollit ekonomik e financiar, Kontrolli i Lartë i Shtetit, prej disa muajsh është futur në kolaps.

Shkak është bërë përfundimi i mandatit të kreut të këtij institucioni, Bujar Leskaj, në 23 dhjetor 2018 dhe mekanizmi ekstraligjor i përdorur prej tij për të deleguar kompetencat te zv/kryetarja Lindita Lati.

Në vendimin nr. 244, dt. 22.12.2018, të cilin e disponon “Dosja.al”, Leskaj citon disa ligje për referencë, por në thelb ky veprim i tij bie ndesh me frymën e ligjit organik të KLSH-së, atë nr. 154/2014.

 

 

Në pikën 1 të nenin 24 të këtij ligji, të titulluar “vazhdimësia pas përfundimit të mandatit” thuhet shprehimisht se “Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas përcaktimit të nenit 19 të këtij ligji, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.”

Duke mos e zbatuar këtë dispozitë, kryetari i larguar i KLSH, Leskaj shkeli ligjin, por mbi të gjitha krijoi një problematikë të madhe në funksionimin e institucionit.

Burime brenda KLSH bëjnë me dije për “Dosja.al” se drejtuesja me kompetenca të deleguara, znj. Lati, nuk ka fuqi dhe baza ligjore për të ushtruar rregullisht “kompetencat e deleguara”.

Kjo, për shkakun e thjeshtë se në asnjë gërmë të ligjit organik të KLSH-së, nuk specifikohet “delegimi i kompetencave”.

Sipas të njëjtave burime, drejtuesja e KLSH-së heziton të firmosë auditimet e realizuara gjatë këtij viti në bazë të programit të miratuar në fund të vitit 2018 nga ish-kryetari Leskaj, përpara dorëzimit të detyrës.

Në këtë mënyrë, edhe pse një pjesë e auditimeve të planifikuara janë realizuar, praktika nuk mund të konsiderohet e mbyllur pasi titullarja me kompetenca të deleguara nuk mund të firmosë.

Kjo konfirmohet për “Dosja.al” nga burime brenda institucionit, por mund të verifikohet edhe duke kontrolluar faqen zyrtare të KLSH, aty ku për vitin 2019 nuk është publikuar asnjë auditim.

Kjo situatë, e kombinuar me përplasjen presidencë-mazhorancë ka futur në kolaps “gardianin” e financave publike.

Sipas procedurave ligjore, përpara përfundimit të mandatit të z. Leskaj, presidenti Meta njoftoi më 5 nëntor 2018 përzgjedhjen e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha si kandidate për postin e kryetares së KLSH-së, por ajo u rrëzua nga mazhoranca.

Në 21 janar 2019, presidenti solli një tjetër kandidaturë, atë të këshilltarit të tij, ish-kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, por edhe ky u rrëzua nga mazhoranca.

Që nga fundi i janarit, atëherë kur marrëdhëniet mes Metës e Ramës ishin në “ngricë totale” për shkak edhe të konfliktit për mosdekretimin e ministrit të jashtëm Gent Cakaj, deri tani, nuk ka patur asnjë zhvillim në lidhje me emrin e ri që do të drejtojë institucionin e pavarur kushtetues që kontrollon mënyrën sesi janë përdorur financat nga të gjitha institucionet publike në vend.

Në kushtet kur vendi është përfshirë nga muaji shkurt nga një krizë e fortë politike, për shkak të protestave të opozitës dhe daljes së saj nga parlamenti me djegien e mandateve, duket se të gjithë “kanë harruar” që KLSH aktualisht nuk po funksionon normalisht.

Meqë kriza nuk dihet edhe për sa kohë do të zgjasë, po ashtu nuk dihet se kur do të kujtohen mazhoranca dhe presidenti të gjejnë dakordësi për një kandidaturë të përshtatshme për kryetar të KLSH-së. Deri atëherë, vijimësia normale e punës së institucionit mbetet e bllokuar.  

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet gara per kreun e klsh klsh ne kolaps gara per kreun e klsh klsh ne kolaps

Sondazh

Poll