Aktualitet

Liderët e BE-së e mbajnë zgjerimin jashtë axhendës në Sibiu

10 Maj 2019, 09:18 Nga DOSJA
Liderët e BE-së e mbajnë zgjerimin jashtë axhendës

Javë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian që do të shohin formimin e një Komisioni të ri, krerët e BE-së miratuan të enjten një Deklaratë në mbyllje të samitit të Këshillit Europian në Sibiu të Rumanisë, duke theksuar drejtimet kryesore të bllokut për ciklin e ardhshëm pesëvjeçar.

Pikat kryesore të paraqitura në dokument kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mbrojtjen e demokracisë, qëndrueshmërinë, konkurrencën dhe unitetin brenda Bashkimit Europian.

Pas votimit në Mbretërinë e Bashkuar për të dalë nga BE-ja, si rezultat i të cilit kryeministrja britanike Theresa May qëndroi larg Sibiut, pati një theks të fortë mbi unitetin.

“Ne do të qëndrojmë të bashkuar, në të mirë e në të keq. Ne do t’i tregojmë njëri-tjetrit solidaritet në kohë nevoje dhe do të qëndrojmë të bashkuar. Ne mundet dhe do të flasim me një zë,” thanë liderët e BE-së.

Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani tha në Sibiu se Europa kishte nevojë për reforma të rëndësishme dhe se konkurrenca me Kinën përbënte një kërcënim serioz.

Ai u shpreh se ndërsa shtetet kombëtare duhet të marrin vendime që janë gjithashtu në shërbim të Europës, blloku duhet të ketë një marrëdhënie të fortë dhe të ngushtë me SHBA-në.

“Problemi ynë nuk është Amerika dhe problemi i Amerikës nuk është Europa. Për ne, i gjithë problemi është ofensiva tregtare kineze,” tha ai.

Deklarata me 10 pika i referohet gjithashtu mbrojtjes së qytetarëve europianë, nevojës për të reduktuar hendeqet ekonomike midis vendeve anëtare dhe rolin e BE-së në botë.

Duke zhgënjyer anëtarët e mundshëm të ardhshëm në Ballkan, dokumenti nuk thoshte asgjë për zgjerimin e mundshëm të bllokut gjatë pesë viteve të ardhshme.

Në rajonin e Ballkanit, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania janë tashmë anëtarë të BE-së. Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat e pranimit dhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shpresojnë të marrin datat e fillimit të bisedimeve. Bosnja dhe Kosova janë më poshtë në radhë.

Presidenti rumun Klaus Iohannis tha të enjten se të gjithë liderët europianë ishin të vendosur ta ruanin BE-në si një “projekt shumë të suksesshëm”.

Iohannis pati një takim dypalësh të enjten me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, pasi Parisi së fundmi e paralajmëroi Bukureshtin për problemin e tërheqjes pas në sektorin e drejtësisë në Rumani.

BE-ja ka shprehur shqetësim se Partia Social Demokrate në pushtet në Rumani po përpiqet të marrë kontrollin e sistemit gjyqësor në vend. Iohannis nuk është aspak dakord me qeverinë e tij lidhur me këtë çështje.

Marrë nga Reporter.al 

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet liderët e be-së samiti jashtë axhendës në sibiu liderët e be-së samiti jashtë axhendës në sibiu

Sondazh

Poll