Bota

SHBA: Jemi të gatshëm të bisedojmë me Iranin për marrëveshjen bërthamore

19 Shkurt 2021, 07:11 Nga DOSJA
SHBA: Jemi të gatshëm të bisedojmë me Iranin për

SHBA– Shtetet e Bashkuara të enjten thanë se ishin gati të bisedonin me Iranin për rikthimin në marrëveshjen e vitit 2015 që synonte të parandalonte Teheranin nga prodhimi i armëve bërthamore, tre vjet pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja.

Irani reagoi me qetësi ndaj idesë së Shteteve të Bashkuara, të paraqitur nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë një takimi virtual me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë të mbledhur në Paris.

Blinken përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se administrata e Presidentit Joe Biden do të kthehej në marrëveshjen bërthamore nëse Irani do ta zbatonte atë plotësisht.

“Sekretari Blinken përsëriti se … nëse Irani kthehet tek marrëveshja duke e zbatuar atë plotësisht, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të njëjtën gjë dhe janë të përgatitura të përfshihen në diskutime me Iranin drejt arritjes së këtij qëllimi”,- thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga katër vendet.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni do t’i përgjigjej pozitivisht çdo ftese të Bashkimit Evropian për bisedime midis Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha që negociuan marrëveshjen origjinale: Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne jemi gati të marrim pjesë nëse një takim i tillë do të zhvillohej”,– i tha zyrtari agjencisë së lajmeve Reuters, duke folur në kushte anonimiteti, pasi një zyrtar i lartë i BE-së tha se ishte i gatshëm të thërriste një takim të tillë midis palëve që ishin pjesë e marrëveshjes.

Londra, Parisi dhe Berlini mirëpritën synimin e Presidentit Biden për t’u kthyer në rrugën e diplomacisë me Iranin. Por Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, u përgjigj duke thënë se Uashingtonit duhej të bënte lëvizjen e parë.

Irani filloi shkeljen e marrëveshjes në 2019 pasi ish Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi përsëri sanksionet ekonomike ndaj regjimit iranian.

Teherani ka intensifikuar shkeljet e tij në muajt e fundit dhe hyri në një konflikt me administratën e Presidentit Biden mbi atë se kush duhet të lëvizte i pari për të shpëtuar marrëveshjen.

Marrë nga VOA.

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

bota bota antony blinken marredheniet shba-iran antony blinken marredheniet shba-iran

Sondazh

Poll