Politike

18 Shkurt 2021, 19:54 Nga DOSJA

VLORË– Kryeministri Edi Rama deklaroi se ai vetë si person në krye të qeverisë është goditur nga tërmeti dhe pandemia, duke i lënë shumë parashikime që kishte bërë, në mes. Në një intervistë të shkurtër për “One TV Vlora”, Rama tha se ai vetë ka për të bërë shumë më tepër për këtë vend, por duhet parë edhe nga ku kanë ardhur.

“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithësesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandate është mandate që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër. Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh,”- tha Rama.

Numri një i socialistëve është pyetur për ujin e pijshëm në Vlorë, dhe u shfajësua duke thënë se në qytetin bregdetar, nuk ka pasur as kur ka qenë ai pesë vjeç.

“Ujë të pijshëm nuk ka pasur që kur kam qenë unë 5 vjeç. Mbaj mend që shkonim dhe mbushnin ujë atje se nuk kishte në shtëpi. Është e vërtetë që në çdo palë zgjedhje flitet për ujë të pijshëm falas, por këtë herë do të përfundojë gjithçka njëherë e mirë,”- tha Rama.

Ai komentoi gjithashtu edhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, teksa shtoi se të gjithë mund të kishin bërë më shumë.

“A i kanë përmbushur pritshmëritë deputetët aktualë këtë duhet ta thotë populli i Vlorës dhe jo unë. Kandidaturat janë një proces që ka nisur prej një viti. Një gjë është e sigurt, që drejtuesit e qarqeve do të jenë deputetë. Pastaj për pjesën tjetër pritet vlerësimi. Unë nuk kam asnjë vlerësim negative për deputetët, por të gjithë mund të kishin bërë më shumë. Emrat e rinj nuk është çështje moshe por energjish. Mund të jësh shumë i ri si Ilir Meta, por mund të jesh dhe plak aq i lodhur. Por mund të jesh i vjetër si Alfred Moisiu por mbetesh gjithmonë i ri,”- tha Rama.

Për Opozitën, kryeministri Rama tha se shikon vetëm një ekip me katër vetë.

“Unë shoh vetëm Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe Monikën. Të tjerët nuk i shoh si ekip por si mbushësa topi,”- tha Rama.

I pyetur për Kadastrën e Vlorës, Rama tha se ai nuk është magjistar që të zgjidhë gjithçka për shtatë vjet.

“Nëse do t’i kisha zgjidhur të gjitha këto, të jeni të sigurtë që nuk do të kisha kandiduar më këtu, por do më kishin marrë për të zgjidhur hallet e planetit, e të sillesha si magjistar. Unë nuk jam magjistar. Edhe ata që flasin nga Anglia e Gjermania, duhet të kenë parasysh se asnjë nga këto dy vende, nuk janë ndërtuar për shtatë vite. Më lehtëson që Meta ka thënë dhe e di edhe vetë që s’ka marrëveshje me mua,”- vijoi kryeministri.

Nëse do të kishte nevojë për të garantuar një mazhorancë, pas zgjedhjeve të 25 prillit, Rama u përgjigj me bindje se nuk do të bënte aspak koalicion nga halli, por do të gjejë një rrugë bashkëpunimi mes forcave politike.

“Ne do t’i fitojmë zgjedhjet siç fituam mandatin e dytë me mjaftueshmërisht mandate deputetësh për të udhëhequr Shqipërinë. Pastaj se si do të gjendet rrugë bashkëpunimi mes forcave politike për të rritur cilësinë e bashkëjetesës, kjo duhet parë. Por koalicione nga halli nuk do të ketë,”- tha Rama.

Në rast se do të humbiste zgjedhjet, Rama la të nënkuptohej se nuk do të hiqte dorë nga Partia Socialiste, as në këtë rast.

“Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse… Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet,”- tha kryeministri.

(f.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama rama ne vlore edi rama rama ne vlore

Sondazh

Poll