Bota

Kosova feston 13-vjetorin e pavarësisë! Albin Kurti pro bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë. ‘NewBorn’ ndryshon pamje,

17 Shkurt 2021, 07:14 Nga DOSJA
Kosova feston 13-vjetorin e pavarësisë! Albin Kurti pro bashkimit

KOSOVË–Kosova feston sot 13 vjetorin e pavarësisë së saj! Ky festim vjen dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare që përfshinë vendin e që nxorrën fitues Albin Kurtin. Dita e sotme nisi me ceremoni të zhvilluar në oborrin e kryeministrisë ku u ngrit flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së. Në ceremoni mori pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti. Midis tyre u vu re një ftohtësi pasi nuk pati asnjë përshëndetje formale.

Monumenti i ‘NewBorn’ sërish ka ndryshuar pamje. Për përvjetorin e 13-të, janë duart me ngjyrën e ushtrisë që kanë zënë vend në shkronjat e këtij monumenti. Përmes kësaj synohet që t’i tregohet botës se jemi bashkë, sikur në ditën kur u shpall pavarësia dhe të gjithë lamë një shenjë, dhe se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën, që ne të jetojmë në paqe. Motoja e këtij monumenti sivjet është “E prumë paqen bashkë”.

Edi Rama ka uruar Kosovën që në orët e para të mëngjesit. Ai ndau në Facebook një foto të Dua Lipës e cila mban të veshur flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Monika Kryemadhi ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e pavarësisë. Në një postim në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE.

Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 13-vjetorin e pavarësisë. Nëpërmjet një video, kryedemokrati shpreh urimin e tij për shtetin fqinj. Basha shprehet se kjo është data e dytë më e rëndësishme për kombin tonë si dhe thotë se Kosova nuk do të jetë asnjëherë vetëm.

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi publike presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Letra nis me urimin për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Meta shkruan se i përshëndet përpjekjet dhe arritjet e deritanishme në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, duke sjellë më shumë stabilitet e begati për Kosovën, si dhe shndërruar atë në faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, për paqen në rajon.

Pavarësinë e Kosovës e kanë uruar edhe këngëtaret me origjinë shqiptare Rita Ora dhe Dua Lipa.

Kurti ka deklaruar se nëse do të mbahej një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ai do të votonte pro. Kjo deklaratë u dha gjatë intervistës për ‘Euronews‘, aty ku foli në lidhje me perspektivën e rifillimit të dialogut me Serbinë, një federatë me Shqipërinë, trajektoren e tij politike dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë ditës janë zhvilluar homazhe te shtatorja e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari në Prekaz dhe Skenderaj, shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, Reçak dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ndërkohë që në qytetin e Mitrovicës së Veriut nuk është ndier farë “fryma e festës”..

Për nder të 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të hapet ekspozita “Jeta dhe vepra e Sali Çekut” dhe ndarja e çmimeve vjetore për letërsi nga MRKS-ja në Prishtinë. KK i Prizrenit mban mbledhje solemne dhe ndan dekoratën “Nderi i Qytetit” për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Bujar Gjurgjealën, ndërsa mbledhje solemne do të mbahen edhe në Komunën e Skenderajt, Podujevës dhe komunat e tjera.

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008. Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe. Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte ishin dhe mediat më të njohura botërore si: CNN apo BBC.

(I.A;A.B/Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

diaspora diaspora 13-vjetori i pavaresise se kosoves pervjetori i pavaresise se kosoves 13-vjetori i pavaresise se kosoves pervjetori i pavaresise se kosoves

Sondazh

Poll