Politike

Vasili-Ballës: Maxhoranca akuzohet për vjedhje votash, e thonë raportet e OSBE-ODIHR dhe DASH

25 Prill 2019, 10:39 Nga DOSJA
Vasili-Ballës: Maxhoranca akuzohet për vjedhje votash, e thonë

TIRANË– Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, u është përgjigjur akuzave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një deklaratë për shtyp, teksa iu referua deklaratës së Ballës, i cili tha se LSI-ja ka damkën e shit-blerjes së votës, Vasili tha të njëjtën gjë për maxhorancën.

Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se sipas tij bazuar në raportet e OSBE-ODIHR dhe DASH, maxhoranca është produkti më i shëmtuar i shitblerjes së votës në vend.

Ai theksoi më tej se maxhoranca është akuzuar për shit-blerje votash, bazuar në “Dosjen 339”.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit

Para pak minutash me pacipësinë që e karakterizon tashmë Parlamentin e kuislingëve, pikërisht në këtë sallë tashmë e cila vjen erë, pra në Parlamentin e Shqipërisë, guxuan që të diskutojnë për votën. Guxuan që të diskutojnë e të thonë që do të jenë ata që do të zhdukin edhe shitblerjen edhe manipulimin e votës. Guxuan të thonë që janë ata zgjidhja që mund ta bëjë këtë gjë. Sot jam përpara jush për të qartësuar njëherë e përgjithmonë me shqiptarët se çfarë është ky Parlament e për çfarë duhet të përgjigjet. Në radhë të parë ky është një Parlament dhe Rilindja e cila e ka zaptuar atë forcërisht, në kundërshtim me Kushtetutën dhe çdo gjë tjetër, është produkti më i shëmtuar dhe i neveritshëm i shitblerjes së votës në këtë vend. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita, këtë e thotë raporti i OSBE/ODIHR, i cili nënvizon qartë se vetëm LSI dhe PD denoncuan qartë shitblerjen e votës nga Partia Socialiste, dhe nuk ka asnjë rresht apo paragraf që të provojë të kundërtën për këtë gjë.

Të njëjtën gjë pohon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i vë damkën zgjedhjeve si zgjedhje të cilat u karakterizuan nga shitblerja e votës. Dhe duke iu referuar sërish raportit të OSBE/ODIHR kemi pikërisht ata që shitën dhe blenë votën, të cilën përfundimisht e nxjerr sheshit dosja 339.

Jam këtu për t’i thënë këtyre produkteve të krimit të organizuar, i cili ka arritur të parin dhe të vetmin sukses në Shqipëri duke ndërtuar një parlament, i cili telekomandohet nga ai dhe i cili vë në gojën e të pacipëve që ndërtojnë grupin parlamentar dhe qeverinë e kryeministrit të famshëm Rama, pikërisht të gjithë këtë akuzë në opinionin publik, kur janë vetë sërish nën akuzë. Pse janë nën akuzë? T’ua përsërisim edhe njëherë pa u lodhur shqiptarëve. Dosja 339 qartëson shumë pastër dhe pa asnjë ekuivok që janë pikërisht këta drejtues socialistë, të implikuar nga i pari tek i fundit në shitblerjen e votës, me krimin e organizuar, me emër, mbiemër dhe me zë.

Çfarë kanë bërë të panikosur deri në qelizë? Kanë bllokuar dosjen 339 për të mos u hapur të vërtetat, të cilët i fshijnë nga faqja e dheut. Së dyti, janë pikërisht këta që kanë ndërtuar atë polici që vodhi zgjedhjet, i shitbleu dhe i mbështeti zgjedhjet, e cila është ajo që i bën reverancë dhe i përulet krimit dhe i thotë o xhan o shpirt, siç e keni në denoncimet e bëra publike me zë, për të gjithë shqiptarët nga ish deputeti Salianji, tashmë të njohur në të gjithë Shqipërinë. Dhe kur për turpin  e këtyre, të trembur deri në palcë, akuzohet Salianji, i cili denoncoi të vërtetat haptazi dhe e gjithë kupola e krimit që ka rrëmbyer dhe policinë është atje i paprekur asnjëri. Shqiptarët presin dhe do donin që të gjithë ata që vodhën 40 milionë euro te Unaza e Re të ishin në burg. Nuk ka asnjë. Kurse këta hajdutët e tjerë vijnë vërdallë në sallën e Parlamentin dhe flasin për ndershmërinë që do të ndërtuakan këta të cilët janë të krimbur deri në qelizë. Njëherazi shqiptarët presin  të dinë kush janë ata që vodhën tenderat e OST.

Kush janë ata që vjedhin dhe rrëmbejnë koncesionet që nga rruga e Orikumit e të gjitha rrugët me radhë në Shqipëri, që kushtojnë qindra milionë euro dhe e kanë bërë Shqipërinë të zhytet në një borxh të tmerrshëm. Këta përpiqen të tregojnë se cili është burgu dhe ç’i presin shqiptarët nga burgu. Nga kjo po i njoftoj njëherë e përgjithmonë. Burgu pret vetëm ata. Qoftë dosja 339, qoftë audio përgjimet, qoftë Unaza e Re, qoftë Bregu i Lumit, qoftë koncesionet, janë një mal i madh dëshmish të pakundërshtueshme , të cilët u kanë përcaktuar vetëm një fat kësaj qeverisje të gjithë këtyre majmunëve të paguar e patateve të kalbura në Parlament. Dhe fundi i tyre është vetëm një, prapa hekurave. Këto fakte nuk mbulojnë dot njeri. Për fatin e tyre të zi këto fakte të gjitha sa një mal opozita i disponon dhe populli thotë që drejtësia vonon po nuk harron. Sot të gjithë e keni shumë të qartë që kjo qeverisje e turpshme e cila po ndërton një fund të neveritshëm fatal dhe të pakthyeshme për veten. Ky mal i madh me fakte të tmerrshme që u vë damkën e hajdutit dhe të nënproduktit të kriminelëve nuk ka shpëtim.

Kështu që as ata dhe askush tjetër  por vetëm populli, i mbledhur grusht në këmbë, është vetëm ai që do të vërë drejtësinë për paratë e vjedhura për votat e vjedhura , për plaçkitjen shtetërore dhe për çdo të zezë tjetër që u kanë bërë shqiptarëve. Ndaj të gjithë së bashku duhet të jemi sot pasdite në mbështetje të të rinjve tanë te Kuvendi, anë e mbanë Shqipërisë sepse koha për ta shpëtuar Shqipërinë është sot. Dhe koha nuk pret, pasi Shqipëria duhet të kthehet sërish shtëpia e shqiptarëve dhe të mos jetë një vend i cili përzë shqiptarët jashtë atdheut të tyre. Por Shqiptarët të rrinë këtu të marrin fatet e tyre në dorë dhe të çojnë pas hekurave ata që janë fajtorët e mëdhenj të plaçkitjes, varfërimit dhe shkretimit të këtij vendi.

Ditën e sotme gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se duhet filluar puna për të ashpërsuar ligjet për vjedhjen e votës.

“Ju keni ndryshuar emër të grupit parlament, nga  partia që vini, ka damkën më të turpshme të blerjes së votës. Deputetët që vijnë nga kjo listë tashmë kërkojnë bashkëpunim për shitblerejn e votes,”– u shpreh Balla teksa iu drejtua deputetëve të rinj që dolën nga listat shumëemërore të LSI-së.

(f.m/dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike damka e vjedhjes se votave petrit vasili taulant balla damka e vjedhjes se votave petrit vasili taulant balla

Sondazh

Poll