Aktualitet

Masat anti-COVID/ Komiteti Teknik i Ekspertëve: Edhe për 2 javë ‘ora policore’ pas 22:00, universitetet sërish online. Fluturime me Anglinë? Jo, deri më 18 janar

VIDEO
Komiteti Teknik i ekspertëve për COVID-19 ka konfirmuar orën policore pas 22:00 të mbrëmjes. Albana Fico theksoi shqetësimin se po rriten rastet pozitive tek moshat e reja 25- 34 vjeç. Mira Rakacolli shtoi se edhe universitetet do të vijojnë mësimin online edhe për 2 javë, ndërsa pezullimet e fluturimeve me Britaninë do të vijojnë deri më 18 janar.
Featured image of article: Masat anti-COVID/ Komiteti Teknik i Ekspertëve: Edhe për 2 javë ‘ora policore’ pas 22:00, universitetet sërish online. Fluturime me Anglinë? Jo, deri më 18 janar Pamje nga takimi i sotëm

TIRANË– Masat shtrënguese anti-COVID do të vijojnë që të qëndrojnë në fuqi edhe për të paktën dy javë të tjera. Në një konferencë për shtyp, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, ka bërë me dije se do të hyjë në fuqi ora policore nga 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Po ashtu, Rakacolli ka shtuar se për 2 javë të tjera universitetet do të vijojnë që të jenë në platformën online, duke shtuar se edhe fluturimet me Anglinë do të jenë të pezulluara deri më 18 janar. Edhe pse ka një rënie të lehtë të rasteve të të infektuarve, problematikë në vendin tonë duket se është ende transmetueshmëria e lartë e pandemisë dhe rritja e infektimeve tek moshat e reja.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, përgjatë dy javëve të fundit, qarqet më të prekura janë ato të Gjirokastrës, Lezhës dhe Tiranës. Sa i përket mutacionit anglez të koronavirusit, zv.ministrja theksoi se deri më tani nuk ishte pikasur asnjë rast i tillë në Shqipëri, megjithatë infektimet e reja po studiohen me kujdes.

Rakacolli gjithashtu shtoi se vaksinimi do të nisë në javën e tretë të janarit dhe nga injektimi nuk do të përjashtohen as bluzat e bardha që e kanë kaluar pandeminë e koronavirusit.

(k.m./dosja.al)

  • 12:55

    Mira Rakacolli: S’kemi rast të mutacionit anglez, mjekët dhe infermierët që kanë kaluar COVID duhet ta bëjnë vaksinën

    Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka deklaruar se deri më tani në Shqipëri nuk është pikasur asnjë rast i ngjashëm me mutacionin anglez të koronavirusit. Në një konferencë për shtyp, ajo sqaroi se masat marra ndaj Britanisë së Madhe ishin marrë, dhe nëse do të kishte “boom” infektimesh, Shqipëria do të kufizojë udhëtimet edhe me vende të tjera.

    Deri më tani nuk kemi shenjë të virusit anglez. Sa i përket fluturimeve, ne nuk kemi të dhëna të qarta për virusin anglez i cili dihet me shumicë në vendet e tjera të botës. Janë disa raste sporadike në vende të tjera dhe nuk mund të marrësh masa për raste sporadike. Nëse do ketë bum si në Angli do marrim masa edhe ndaj shteteve të tjera”, u shpreh Rakacolli.

    Ndërsa lidhur me nisjen e vaksinimit me anti-COVID, zv.ministrja tha se do të injektohen edhe pjesëtarët e ekipit mjekësor, edhe nëse e kanë kaluar pandeminë.

    “Vaksinimi do të fillojë brenda muajit Janar. Fillohet me personelin shëndetësor në katër spitalet COVID. I kemi të gjitha kapacitetet për ruajtjen e vaksinës. Njëkohësisht kemi një listë të plotë të të gjithë personelit shëndetësor. Është një proces i mirëmenduar. Beteja e COVID nuk është vetëm betejë e shëndetësisë. Duhet të jemi të gjithë të përfshirë në këtë betejë. Procesi i vaksinimit është një proces që nuk mund të bëhet njëhkohësisht në të gjithë vendet e botës, Do të fillojë me personelin shëndetësor,”-deklaroi më tej Rakacolli.

  • 12:46

    COVID-19/ Brataj jep SHIFRAT: Që prej fillimit të pandemisë Urgjenca ka marrë 700 mijë thirrje

    Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj publikoi shifrat e përballjes së vendit me pandeminë e koroanvirusit. Në një konferencë për shtyp të Komitetit Teknik, Brataj u shpreh se në Urgjencë janë regjistruar rreth 700 mijë thirrje dhe se janë kryer mbi 150 mijë vizita.

    “Rreth 700 mijë thirrje janë bërë që prej fillimit të pandemisë deri më 3 dhjetor. Kemi bërë 150 mijë vizita 55% në banesë, 45% drejt spitale. Numrat më të mëdhenj të pacientëve trajtohen kryesisht në banesë,”- tha ai.

  • 12:24

    MASAT qëndrojnë në FUQI! Rakacolli: Universitetet edhe për 2 javë online, asnjë fluturim drejt Anglisë deri më 18 janar

    Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka bërë me dije se masat shtrënguese do të vijojnë të mos ndryshojnë. Në një konferencë për shtyp, ajo u shpreh se në vend do të vijojë që të jetë aktive ora policore pas 22:00 të darkës, ndërsa për të paktën edhe 2 javë, universitetet do të mbyllen.

    Kemi situatë të qëndrueshme, mendojmë që të mbeten në fuqi ora policore pas 22:00. Universiteti edhe për një periudhë 2 javë online, dhe po kështu fluturime me Britaninë e Madhe të pezulluara deri më 18 janar,”-shtoi ajo. 

  • 12:20

    Situata e COVID-19 në Shqipëri, drejtoresha e ISHP, Albana Fico: Transmetueshmëria është e lartë, këto janë 3 qarqet më të prekura

    Drejtoresha e Instituti i Shëndetit Publik, Albana Fico ka bërë me dije shifrat zyrtare të pandemisë së koronavirusit në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp, e shoqëruar nga anëtarë të tjerë të Komitetit Teknik, tha se gjatë periudhës 2 javore 23 dhjetor-5 janar ka një rënie të lehtë të rasteve duke bërë me dije se qarqet më të infektuara ishin ato të Gjirokastrës, Tiranës dhe Lezhës. Në fjalën e saj, Fico theksoi se transmetueshmëria e virusit është e lartë, megjithatë situata vijon që të mbetet e qëndrueshme.

    “Për situatën pandemike po merret në shqyrtim periudha 23 dhjetor deri në 5 janar. Niveli i pozitivitetit është mesatarisht 22 %. Mosha mesatare është 48.7 vjeç, ndërsa grupmoshat më të prekura janë 55-64 vjeç dhe më pas ajo 25-34 vjeç dhe e treta 45-54 vjeç. Gjirokastra është me numrin më të lartë të të infektuarve për këtë periudhë 2 javorë duke lënë pas Tiranën dhe Lezhën. Situata për këto dy javë mbetet e qëndrueshme dhe zbritje të lehtë që do të shihen në vijimësi,“- tha Fiço.

Shto Koment